Ja nga cili fshat i Pejës është pacientja e infektuar me koronavirus

Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Pejës Dr.Petrit Loci ka konfirmuar për ‘RADIO 1’, se pacietnja e dyshuar dje, me simptoma të COVID 19, nga fshati Llugaxhi i komunës së Pejës, e cila u trajtua fillimisht në një ordinancë private në Klinë, më pas edhe në Spitalit e Përgjithshëm Rajonal të Pejës e e njejta u transportua për në QKUK me ekipet e QKMF-së së Pejës, ka rezultuar Pozitiv.

Ky bëhet edhe rasti i parë nga komuna e Pejës, por për çfarë Loci ka një sqarim.

“Fatkeqësisht pacientja rezultoi Pozitiv. Është nga fshati Llugaxhi i komunës së Pejës, nëse i referohemi hartës, mirëpo fshati është gjeografikisht shumë afër Klinës. Ajo së pari është kontrolluar në Klinë, më pas tek ne. Kjo as nuk e ulë por as nuk e rrit rrezikun për qytetarët e komunës tonë.”-tha Loci në ‘RADIO 1’.

Ndryshe rreth rrezikimit që pacientja ka paraqitur me praninë e saj në Spitalin e Pejës është prononcuar më herët Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm Rajonal të Pejës Dr. Skender Dresha. Dresha në ‘RADIO 1’ ka thënë se  dje me udhëzim të mjekut, në këtë spital është pranuar një paciente nga Klina, e dyshuar me simptoma, porse e njejta menjhëherë është trajtuar në karantinën e hapur pranë Spitalit ndërsa ekzaminimet tjera të nevojshme i janë kryer me masa mbrojtëse nga personeli.

“Nuk paraqet rrezik për stafin dhe pacientët tjerë. Pacientja nga Klina, ka ardhur me udhëzim të mjekut për prombele hipertensive dhe pulmonare, megjithatë e dyshuara, ka shfaqur simptoma dhe e njejta menjëherë është trajtuar në karantinën e hapur pranë Spitalit ndërsa ekzaminimet tjera të nevojshme i janë kryer me masa mbrojtëse nga personeli. Me ambulantën e QKMF-së është përcjellur për në Klinikën Ifektive në Prishtinë. Dezinfetimi i hapësirave tona është kryer menjëherë, jo sepse ka ardhur rasti por sepse ne e kemi protokol ditor, erdhi apo nuk erdhi dikush.”-deklaroi Dresha.

Tutje Dresha konfirmoi se as mjeku, staf i spitalit të Përgjithshëm i cili e ka trajtuar pacienten në ambulantën private të tij në Klinë, në 36 orët e fundit nuk ka qenë në spital, pasi në spitalin tonë ka ndryshuar orari i punës gjatë kësaj situate emergjente.

“Ai është mjek i joni që punon në urgjencë dhe është njëri prej vetëm dy mjekëve specialistëve të urgjencës që i ka ky spital. Për këtë rast jemi informuar nga komiteti komunal emergjent. Për ato veprime që janë bërë prej tij jashtë institucionit tonë, ai përgjigjet. Ky mjet nuk ka qenë në spital 36 orët e fundit, pasi në këtë spital ka ndryshuar orari i punës gjatë kësaj situate emergjente, ku stafi mjekësor punon nga 24 orë dhe pastaj kanë tre ditë pushim. Ai ka qenë në karantinë si edhe e tërë ajo komunë dhe ai ka nisur të punojë pasi nuk ka pas ndalesë nga Instituti i Shëndetit Publik, pasi edhe ka rezultuar pa simptoma. Mjeku dje ka qenë në kontakt me pacientë të dyshuar dhe tash ai duhet të izolohet për dy javë dhe atë duhet ta zëvendësojmë në urgjencë me ndonjë mjek të reparteve tjera. Për spitalin është hendikep pasi i kemi vetëm dy mjekë specialistë të urgjencës”,-tha Dresha në ‘RADIO 1’.

Ndryshe ndaj mjekut në fjalë Policia ka raportuar sot se, dje, e mërkurë gjatë pasdites, ka hasur në një mjek që po punonte ilegalisht në klinikën e tij private në Klinë, në kundërshtim të urdhëresave të Qeverisë së Kosovës, të sjella pas shpalljes së situatës emergjente shëndetësore për parandalimin e shpërhapjes së koronavirusit.

“Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar (mjek), është hasur duke punuar në klinikën e tij private duke rënë në kundërshtim me vendimet e marra. I njëjti është vetë izoluar me punëtorët dhe familjen e tij pasi që dyshohet se ka pasur kontakt me disa klient që dyshohet të jenë të infektuar”, thuhet në raportin e policisë së Kosovës, sipas të cilit klinika private është mbyllur.

Rastin e ka konfirmuar për ‘RADIO 1’, edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

“Një mjek ka hap një ordinancë në Klinë ku dyshohet se ka pas disa pacientë për trajtim. Me çrast ju ka mbyll ordinanca sepse me vendim të qeverisë nuk ka pas të drejtë ta hap. Njëkohësisht një paciente që ka pas simptoma të dyshimta është dërguar me autoambulancë të spitalit në Klinikën Infektive në Prishtinë. Deri sa të dalin rezultatet e analizës të pacientes, është kërkuar nga mjeku dhe pacientët tjerë që kanë qenë aty në ambulancë me qëndrua në vetë izolim”, tha Nikçi në ‘RADIO 1’

Ai tha se në këtë rast ka elemente të veprës penale “mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, por siç shtoi Nikçi, mjeku nuk është dërguar në mbajtje policore derisa nuk dalin rezultatet për shkak të rrezikut se mos është i infektuar. Por, procedura penale ndaj tij siç tha Nikçi do të zhvillohet, bazuar në neni 250 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sipas të cilit kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet deri me dy vjet burgim.