Ja kush është Rrahim Hashimi, që u arrestua me grupin e ‘Currit’

Gjatë aksionit të Policisë së Kosovës ku u arrestuan shtatë persona, nën dyshimin se janë marrë me krim të organizuar dhe fajde, është arrestuar edhe Rrahim Hashimi.

Ndër personat e arrestuar është edhe Ismet Osmani, i njohur si ‘Curri’, i cili është pronar i disa kazinove në Kosovë.

Rrahim Hashimi fillimisht ka qenë në arrati, ndërsa sipas të dhënave është arrestuar në shtëpinë e tij në Vushtrri.

Hashimi ka qenë ish-luftëtar i ‘Forcave Komando Delta’ të UÇK-së, Brigada 138-Zona Operative e Drenicës.

Ai ka qenë i intervistuar nga Gjykata Speciale më 9 Mars të këtij viti në cilësinë e të dyshuarit, shkruan Ballkani.info.

Hashimi ishte arrestuar në vitin 2017, nën dyshimet se kishte marrë 100 mijë euro për të zgjedhur një lëndë e cila po hetohej nga Departamenti i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës.

Sipas pretendimeve të prokurorisë Speciale të Kosovës, Hashimi dyshohet se ka kërkuar nga të dëmtuarit V.H dhe F.B, kundër të cilëve kishte filluar një procedurë penale, një shumë parash prej 100 mijë euro me qëllim që të njëjtëve t’u minimizohet rasti apo të përmbyllet.

Sipas pretendimeve të prokurorisë i pandehuri nga familjarët e të dëmtuarve kishte marrë fillimisht 50 mijë euro ndërkaq, falë këtij ryshfeti të dëmtuarit kanë përfituar masa më të lehta të sigurisë. Tutje prokuroria pretendon se për të vazhduar tutje me ndihmën rreth procedurës, të dëmtuarve u kërkuan edhe 50 mijë euro të tjera.

Hashimi po hetohet së bashku me ish-shefin e drejtorisë të Krimeve Ekonomike, ndërkaq Gjykata Themelore ka refuzuar kërkesat për hedhje të aktakuzës ndaj tyre.

I njëjti akuzohej nga prokuroria e shtetit edhe për ndikimin që kishte pasur në Ambasadën e Hungarisë nga viti 2009 deri në vitin 2017, duke ia mundësuar qytetarëve marrjen e vizës pa u paraqitur fare në ambasadë.

Ish-luftëtar i “Forcave Komando Delta”, madje në profilin e tij në Facebook shpreh haptazi simpatinë ndaj Izraelit, ka publikuar fotografi nga parlamenti i atij vendi, e në zyrën e tij mbanë dy flamuj të shtetit.

Në njërin nga publikimet e tij në Facebook, Hashimi ndërkaq shanë popullin turk dhe shtetet arabe, duke i quajtur kafshë primitive, ashtu si e quan edhe presidentin Tayyip Erdogan, transmeton Ballkani.info.

Rrahim Hashimi që thuhet të ketë lidhje të afërta me presidentin e vendit Hashim Thaçi madje pati edhe pretendime për të i dalë si kundër kandidat Kadri Veselit për të parin e PDK-së.

Hashimi sot ka bërë të ditur se është ftuar nga Gjykata Speciale si i dyshuar për shkelje të disiplinës ushtarake apo tejkalim të autorizimeve ushtarake. /Ballkani.info