Ministria e Drejtësisë

Ja kush e liroi dy herë Dardan Krivaqën nga burgu dhe pse kanë nis hetimet

Ministria e Drejtësisë ka nisur hetime për dy rastet e lirimit të parakohshëm të Dardan Krivaqes, të njëri nga të dyshuarit për vrasjen e 18 vjeçares nga Ferizaj.

Përmes një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se për hetimin e këtyre lirimeve ka themeluar dy komisione hetimore.

“Lidhur me këtë, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka formuar Komisionin Hetimor për të hetuar të dy rastet”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Sot u raportua se Dardan Krivaqa i dyshuari për vrasjen e 18 vjeçares nga Ferizaj, ishte liruar dy herë para kohe. Ky vendim ishte marr nga drejtorët e burgut të Gjilanit dhe Burgut të Dubravës.

Një veprim i ngjashëm kishte ndodhur edhe në vitin 2017, kur Krivaqa ishte liruar tre muaj para kohe me vendim të drejtorit të Burgut të Dubravës.

Informacioni është konfirmuar edhe nga Ministria e Drejtësisë e cila menaxhon me Shërbimin Korrektues të Kosovës.

“Personi në fjalë është pranuar në QP në Gjilan më 21.10.2012, ku ishte i dënuar me dy vite e pesë muaj për veprën penale, ‘Vjedhje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje’”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

“Pas ankesës në Gjykatën Supreme, të njëjtit i është ulur dënimi në dy vite. Po ashtu, sipas Nenit 127 të Ligjit të vjetër për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, i njëjti, ka përfituar tre muaj lirim të parakohshëm dhe është liruar më 17.08.2012 nga QP Gjilan”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministria tregon se Krivaqa ishte burgosur përsëri pak muaj më vonë dhe ishte dërguar në qendrën e Dubravës.

“I njëjti, sipas Nenit 127 të Ligjit të vjetër për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, më 28.04.2017 është liruar nga QK Dubravë tre muaj më herët me Lirim të Parakohshëm”, thuhet në përgjigjën e Ministrisë.

Dardan Krivaqa dyshohet se vrau në rrethana misterioze vajzën 18 vjeçare nga Ferizaj.

Ai kishte precedentë të shumtë penal ndërsa dosja e tij është publikuar nga gjykata ku thuhet se ka pasur të paktën 10 procese gjyqësore.

Dardan Krivaqa kishte qëndruar për dy ditë në arrati, derisa ishte kapur nga Policia e Kosovës në afërsi të fshatit Sojevë të Ferizajt.