Ja kur pritet të dorëzoj dorëheqjen Ramush Haradinaj te presidenti Thaçi

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, të premten në mbledhjen e qeverisë kishte njoftuar se letrën për heqjen dorë nga posti i të parit të qeverisë do ta dorëzojë të hënën, tek presidenti i vendit, Hashim Thaçi, mirëpo kjo gjë ende nuk është përfunduar.

Zëdhënësja e qeverisë, Donjeta Gashi, në një deklaratë për Ballkani.info tha se ky dorëzim ka mundësi edhe të shtyhen për ditën e nesërme, pra ditën e martë.

“Ekziston mundësia të shtyhet për nesër ky dorëzim, mbetet të shihet”, ka thënë Gashi për Ballkani.info.

Haradinaj për dorëheqjen e tij kishte njoftuar gjatë mbledhjes së qeverisë të premten, ndërsa më pas njoftoi se letrën për heqjen dorë nga posti i të parit të qeverisë do ta dorëzojë të hënën.

Dorëheqja e tij erdhi pas një ftese nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, në të cilën kreu i AAK-së tha se do të paraqitet si qytetar i thjeshtë e jo si kryeministër sepse do të ishte e rëndë për vendin.

Haradinaj po ashtu në vitin 2004, pati dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit me të marrë ftesën nga Gjykata e Hagës./Ballkani.info

loading…