Ja kur priten të hapen klubet e natës dhe pishinat në Kosovë

Klubet e natës e pishinat në Kosovë janë paraparë të hapen në fazën e tretë (1 qershor), të masave lehtësuese kundër COVID-19.

Nëse gjithçka shkon sipas kërkesave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë nga 1 qershori do të shikohet mundësia e hapjes jo vetëm të klubeve të natës e pishinave, por edhe hapja e kufijve,  aeroporteve, banjat, e mbajtja e ahengjeve e panaireve të ndryshme.

Ndërsa, nga nesër (e hënë) 18 maj Kosova hynë në fazën e dytë të masave lehtësuese kundër COVID-19.

Bizneset që do të rihapën janë: floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregtarët me pakicë dhe tregu i gjelbër, gastronomia, varianti merre me vete (take away), transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndërurban me leje të veçanta, qendrat e thirrjeve telefonike, me lista të stafit esencial, si dhe hapja e galerive dhe muzeve.

Gjatë kësaj faze do të bëhet edhe rivlerësimi për ri-hapjen e parqeve, mbajtjen e ceremonive fetare, tregjet e tjera, palestrat, Qendrat e kujdesit ditor dhe Qendrat Tregtare.

Është bërë e ditur se edhe në fazën e dytë do të ketë orar të caktuar për të lëvizur, por kësaj radhe me një orë shtesë për qytetarët, rrjedhimisht çdo qytetari do t’i lejohet dalja dy herë në ditë nga dy sipas shifrës së parafundit të kartës së identiteti.

Këto masa janë caktuar deri më 25 maj kur edhe do të ri-shikohet nëse duhet ose jo të kalohet në fazën e tretë, e cila është paraparë të nis nga 1 qershori.

Deri tani (17 maj), në Kosovë të infektuar janë 985 persona teksa janë shëruar 736 persona si dhe kanë humbur jetën 29 të tjerë.