Mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur një “luftë ekonomike”. Po nga kjo masë e fortë e Kosovës, mund të përfitojnë më shumë tregtarët nga Maqedonia.
“Pas vendimit të qeverisë kosovare për të rritur në masën 100% taksën mbi produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja, krijohet një situatë e re me mallrat serbe në tregun kosovar dhe nevojat reale të tij”.
Këtë e pohoi për Radion Evropa e Lirë, Drilon Iseni, Drejtor i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore.
Ai shton se ekziston një mundësi e mirë për tregtarët maqedonas, që të kenë përfitime.
“Ky rast duhet shfrytëzuar, si për të ndihmuar tregun kosovar me produktet që ekzistojnë në Maqedoni. Gjithashtu do t’i jepet një stimul i ri shkëmbimit tregtar mes dy vendeve”, shtoi Iseni.
Megjithatë, Ministria e Ekonomisë së Maqedonisë ka vlerësuar se këto përfitime do të ishin afatshkurtra.
