Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) dhe agjencia zyrtare e lajmeve iraniane IRNA kanë konfirmuar vrasjen e gjeneral brigade Amir Ali Hajizadeh, komandant i forcave ajrore të Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane (IRGC).

Karriera ushtarake nga snajper në komandant

Hajizadeh u emërua në këtë post nga lideri suprem i Iranit Ali Khamenei në tetor 2009, transmeton Ballkani.info.

I lindur në Teheran në vitin 1962, ai iu bashkua Korpusit të Gardës Revolucionare në vitin 1980, menjëherë pas shpërthimit të Luftës Iran-Irak (1980-1988), gjatë së cilës ai mori pjesë në disa operacione si snajper.

Pas luftës, ai iu bashkua forcave ajrore të IRGC-së dhe u përfshi në programin e zhvillimit të armëve raketore.

Në vitin 2006, ai u emërua komandant i mbrojtjes ajrore të Korpusit të Gardës Revolucionare.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së e vendosi atë në një listë të individëve të sanksionuar, së bashku me komandantët e tjerë të IRGC-së, pasi Irani rrëzoi një dron zbulues amerikan pranë ngushticës së Hormuzit në qershor 2019.

Në janar 2020, pasi një raketë e Gardës Revolucionare iraniane rrëzoi një aeroplan ukrainas pranë Teheranit, duke vrarë të gjithë 176 personat në bord, Hadjizadeh e përshkroi incidentin si një aksident, mori përgjegjësinë e plotë dhe tha se do të pranonte çdo dënim të vendosur nga autoritetet iraniane. /Ballkani.info/