Rafah

Izraeli thotë se e ka marrë nën kontroll kufirin në Rafah

Ushtria e Izraelit ka thënë të martën në mëngjes se e ka marrë nën kontroll pikëkalimin kufitar në Rafah, në anën e Gazës në kufijtë me Egjiptin.

Deklarata është dhënë nga një zyrtar i Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF).

Më herët, Izraeli nisi tanket në drejtim të pjesës më jugore të Gazës dhe kufijve të Egjiptit.

Tri burime për “Reuters” po ashtu kanë thënë se tashmë është ndalur edhe kalimi i ndihmave nëpërmjet këtij kufiri. 

Izraeli të hënën mbrëma ka kryer sulme në lindje të qytetit jugor Rafah, disa orë pasi që Hamasi tha se ka pranuar marrëveshjen për armëpushim të propozuar nga Egjipti e Katari. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se propozimi është “larg së plotësuari kërkesat e Izraelit”. Ai ka thënë se kabineti i luftës ka vendosur që të vazhdohet me operacionin e planifikuar në Rafah, ndërsa është dërguar një delegacion për të negociuar për armëpushim.