Disa ditë pas sulmeve të Izraelit ndaj Iranit dhe programit të tij bërthamor, zyrtarë të lartë izraelitë presin të mësojnë nëse Presidenti i SHBA Donald Trump do t’i ndihmojë ata të përfundojnë punën.

“Ne jemi duke pritur për vendimin e presidentit”, tha një zyrtar i lartë izraelit për CNN, transmeton Ballkani.info.

Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë kanë qenë në komunikim të shpeshtë për përparimin e operacioneve ushtarake izraelite në Iran dhe mundësinë e përfshirjes së SHBA.

Por dy zyrtarë izraelitë thanë se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk po i kërkon në mënyrë eksplicite Trump që të miratojë sulmet e SHBA në Fordow, objekti bërthamor iranian që shtrihet nën një mal.

Netanyahu, si zyrtarë të tjerë izraelitë, shpreson që Trump ta arrijë vetë atë vendim, pa u ndjerë sikur ai është nën presion nga homologu i tij izraelit.

“I gjithë operacioni është i bazuar në faktin se SHBA do të bashkohen në një moment,” tha një zyrtar i tretë izraelit.

Zyrtarët izraelitë këmbëngulin se Izraeli ka mundësi të tjera për të shkatërruar ose të paktën përkohësisht çaktivizuar objektin bërthamor iranian në Fordow, por asnjëra nuk ka të ngjarë të jetë aq efektive sa një sulm nga bombarduesit strategjikë amerikanë duke përdorur bomba 30,000 paund që shkatërrojnë bunkerët. /Ballkani.info/