Ambasadorja izraelite në Mbretërinë e Bashkuar, Tzipi Hotovely, ka mohuar pohimin e Libanit se lideri i Hezbollahut, Hassan Nasrallah ka pranuar një marrëveshje armëpushimi përpara vrasjes së tij.

“Hassan Nasrallah nuk ra dakord për ndonjë armëpushim, është thjesht qesharake”, tha Tzipi, duke folur në Sky News të Mbretërisë së Bashkuar të dielën, duke shtuar se pretendimi “nuk ka bazë në realitet”, shkruan CNN.

“Le të mos flasim për qëllimet e mira të një organizate terroriste. Ata kanë zero qëllime të mira”, tha ajo.

Ministri i Jashtëm i Libanit, Abdallah Bou Habib i tha më parë CNN-it se Nasrallah ishte pajtuar për një armëpushim 21-ditor të mbështetur nga SHBA-ja, vetëm disa ditë para se të vritej nga Izraeli, diçka e përsëritur nga Rami Mortada, ambasadori i Libanit në MB.

“Ne shprehëm dakordësinë tonë për këtë skemë që u parashtrua nga SHBA, Britania e Madhe dhe 15 vende të tjera. Fatkeqësisht… kur Netanyahu arriti në New York, ai menjëherë e hodhi poshtë gjithë këtë plan paqeje dhe ai ende po e bën këtë”, tha Mortada për Sky News të dielën, duke iu referuar fjalimit të kryeministrit izraelit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York muajin e kaluar.

Mortada tha se plani i armëpushimit është “një tekst që është ende i detyrueshëm” për Libanin. Ai shtoi se është “një deklaratë e faktit që dihet për të gjithë” se perspektivat për një armëpushim u prishën nga vrasja e Nasrallahut.

“Kemi të bëjmë me një qeveri izraelite nxitëse të luftës”, tha Mortada.