Zyrtarja e Nisma Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka reaguar përmes një postimi publik lidhur me diskutimet e ditëve të fundit mbi një bashkim të mundshëm të Nismës me PDK’në në një listë zgjedhore.
Izmaku ka konfirmuar se marrëveshja e përfolur nuk është arritur, duke theksuar se Nisma Socialdemokrate do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të pavarur.
“Nisma do të ecë përpara, e pavarur, e përkushtuar dhe e mbështetur tek njerëzit që e besuan këtë rrugë dekada me radhë, nën lidershipin e provuar të Fatmir Limajt”, shkroi ajo.
Sipas Izmakut, partia mbetet e fokusuar në vlerat që, siç tha, i përgjigjen nevojave reale të qytetarëve. Ajo shtoi se për Nismën, politika nuk është “krenari e tepruar apo arrogancë, por përgjegjësi, shërbim dhe përkushtim i përditshëm.”
Izmaku u bëri thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të partisë të mobilizohen për garat e ardhshme politike, duke u shprehur se Nisma vazhdon rrugën e saj me “vizion të qartë” dhe me udhëheqjen e Fatmir Limajt.
Në fund, ajo u shpreh: “Gara fillon. Nisma vazhdon rrugën me ju… Na priftë e mbara!”







