Ivanov: Serbët besojnë se BE-ja nuk ofron mjaftueshëm, duhet të zgjedhin midis Perëndimit apo Rusisë

Pushtimi ushtarak i Ukrainës dhe sanksionet që pasuan ndaj Rusisë, por edhe fakti që shumica në Serbi janë të bindur se anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) është kthyer në një klishe dhe nuk do të ndodhë kurrë, kanë ndikuar në faktin se qytetarët janë gjithnjë e më pak të gatshëm për të hyrë në BE.

Kështu është shprehur Helena Ivanov, një studiuese në “Henry Jackson” duke shtuar se Serbia duhet të zgjedh mes dy palëve – Rusisë apo Perëndimit.

Sipas interpretimit të saj, anëtarësimi në BE për shumicën e njerëzve në Serbi është diçka për të cilën flitet vazhdimisht, “por në fakt asgjë nuk po bëhet”.

Siç thekson Ivanov, Serbia është përgjegjëse për këtë, sepse nuk i plotëson disa nga standardet dhe kërkesat e BE-së.

Duke iu referuar faktit se Kina dhe disa vende të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ajo vlerësoi se Serbia, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë, “mund të mos duhet të paguajë çmimin maksimal” kur është fjala për Kosovën.

Ivanov thotë se BE-ja aktualisht nuk është i interesuar të zgjerohet, veçanërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ajo mendon se BE-ja nuk mund ta lë Serbinë që të ndërtojë aleanca pa u konsultuar me Brukselin.

E pyetur se si e komenton perceptimin e publikut në Serbi se lufta në Ukrainë është në të vërtetë një përballje mes Rusisë dhe Perëndimit, ajo u përgjigj se agresioni është përshkallëzuar në një nivel ku nuk është më çështje për Donbasin, por një lloj “versioni numër dy i Luftës së Ftohtë”.