“Iute Credit” dhe “Monego” rrezikonin sigurinë kombëtare, priten arrestime?

Njësitë e inteligjencës financiare dhe institucionet kryesore të sigurisë në Kosovë që nga shtatori po i hetonin dy institucionet financiare “Iute Credit” dhe “Monego”, të cilat të premten u mbyllën me vendim të Bankës Qendrore të Kosovës.

Dyshimet ishin se përveç kredive me norma astronomike të interesit, ato po shpërlanin para për biznesmen dhe persona të fuqishëm nga Estonia dhe Rusia.

Së paku kështu i kanë thënë gazetës inFokus, burime brenda institucioneve të sigurisë në vend.

Këtë në njëfarë mënyre e ka konfirmuar edhe Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti i cili në konferencën për media tha se bëhej fjalë për sigurinë nacionale.

“…Ne nuk do të lejojmë asnjë aktivitet që cenon sigurinë tonë kombëtare”, ka thënë Mehmeti duke shpjeguar arsyen e tërheqjes së licencave të këtyre instucioneve.

Gazeta inFokus ka mësuar se përfshirja në këto aktivitete të dyshimta, rrezikon ti vë prapa grilave udhëheqësit e këtyre dy institucioneve financiare jo bankare.

Gazeta inFokus ka kontaktuar me të dy këto institucione mirëpo nuk kanë pranuar të flasin.

Një hulumtim i bërë kohë më parë nga mediat në vend ka rezultuar se “MONEGO është në pronësinë e Aigars Kesenfelds një biznesmen i cili është i dyshuar për krime ekonomike, mashtrime, shpërlaje të parave dhe i lidhur me miliarderin rus Oleg  Boyko”.

Sipas këtij hulumtimi “ky sistem i kredive të shpejta ka rezultuar të jetë fatal për shumë familje nëpër vende të ndryshme të Evropës. Mashtrimi përmes marketingut dhe normat e larta të interesit janë në kundërshtim edhe me normat reale të BQK-së. Sistemet e tilla nga i njëjti pronar dhe mashtrimet që janë bërë nëpër shumë shtete të Evropës, sot po rrezikojnë qytetarët e Kosovës nga një “sistem piramidal” siç është MONEGO.”

E Iute Credit është ndëshkuar nga BQK-ja në shkurt të vitit 2019, për mashtrim dhe e njëjta i kishte kthyer paratë klientëve.