“Iute Credit” dhe “Monego” jepnin hua me interes deri në 236 për qind, të gjitha kreditë duhet të kthehet

Selia e “Iute Credit-it” është e mbyllur e “Monego” nuk po u jep shërbime klientëve.

E gjithë kjo pas një vendimi që mori këtë të premte Banka Qendrore e Kosovës.

Që nga kjo ditë, asnjëra nga këto institucione financiare nuk do të zhvillojë veprimtarinë e tyre.

Kjo pasi, sipas Guvernatorit të Bankës Qendrore, Fehmi Mehmeti, ato nuk e kanë zbatuar planin të cilin e kanë paraqitur kur kanë kërkuar licencim.

Norma e interesit, sipas rregullores së BQK-së në Kosovë, shkon deri në 20.3 për qind.

Mirëpo, nga analizat që ka zhvilluar ky institucion, del se këto dy institucione mikrofinanciare kanë aplikuar norma shumëfish më të larta të interesit.

Që nga e premtja, as “Iute Credit” dhe as “Monego” nuk do të japin më kredi për qytetarët.

Por, kreditë që janë aktuale në këto institucione do të mblidhen nga likuidatori që është caktuar nga BQK-ja.

Ndërkaq, ende nuk dihet se sa ka klientë e sa janë fitimet e këtyre dy institucioneve mikrofinanciare. Nga Banka Qendrore thonë se në konferencën e fundvitit do t’i publikojnë të dhënat.

Në anën tjetër, “Monego” e ka cilësuar si të jashtëligjshëm vendimin e BQK-së, duke shtuar se deri te ky vendim ka ardhur për shkak të interesave të personave të caktuar.

Në komunikatë, ata kanë bashkangjitur edhe disa të dhëna që tregojnë se qarkullimi vjetor i tyre është i lartë.

“Si kompani, ne kemi kontribuar shumë për ekonominë lokale të Kosovës në këto dy vjet dhe shifrat më poshtë e dëshmojnë këtë: 254 persona të punësuar;

33 degë u hapën në të gjithë vendin; 1.5 milion euro paga për punonjësit; 400 mijë euro qira pronarëve”, thuhet në përgjigjen nga zyra për Media, “Monego”.

KTV-ja ka provuar të kontaktojë edhe me përfaqësues të “Iute Credit-it”, mirëpo nuk ka marrë përgjigje gjatë së premtes.

Në Kosovë veprojnë 23 institucione mikrofinanciare, me rreth 183 njësi në gjithë vendin.