Iu refuzua trajtimi mjekësor një qytetareje, GLPS padit Ministrinë e Shëndetësisë

Organizata GLPS dhe një qytetare e Kosovës, të cilës i është refuzuar trajtimi mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, kanë paraqitur padi për konflikt administrativ, kundër Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas GLPS-së, në muajt e fundit është raportuar për keqpërdorime në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, e sidomos në programin për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore që funksionon në kuadër të këtij Fondi.

Kjo organizatë thekson se paditëses së dëmtuar i është refuzuar përfitimi nga programi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, përkundër faktit që ajo i kishte plotësuar të gjitha kushtet dhe kishte dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm.

“Paditësja, edhe pas kontrolleve dhe analizave të shumta në institucionet shëndetësore publike dhe private në vendin tonë, nuk kishte arritur të gjejë shërim e as të marrë ndonjë diagnozë të duhur. Pas pranimit të vendimit për refuzim, Paditësja kishte dorëzuar ankesë kundër këtij vendimi, të cilën Komisioni i ankesave për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike e refuzoi”, thotë GLPS.

Në bazë të provave të siguruara nga qytetarja në lidhje me vendimin e nxjerrë për refuzim të ankesës së saj kundër vendimit për refuzim të përfitimit nga programi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore, GLPS thekson se ka gjetur disa shkelje ligjore.

“Fillimisht, paditësja është diskriminuar dhe nuk i është ofruar qasje për trajtim mjekësor. Pra, Institucionet publike shëndetësore kanë dështuar t’i ofrojnë paditëses kujdes të barabartë shëndetësor, pa e diskriminuar në asnjë formë, si dhe nuk kanë arritur që ta respektojnë të drejtën e marrjes së shërbimeve në fushën e shëndetit, e drejtë kjo e garantuar edhe me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut”, thotë oganizata.

Më tej, GLPS shton se “me nxjerrjen e këtij vendimi janë shkelur disa akte ligjore dhe nënligjore si: Ligji për Shëndetësinë, i cili përcakton se kujdesi shëndetësor duhet të ofrohet duke respektuar parimin e barazisë, gjithpërfshirjes dhe jo diskriminimit, po ashtu Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e banorëve të Kosovës në sistemin shëndetësor, që përcakton se kujdesi shëndetësor duhet të jetë adekuat, me qasje në vazhdimësi për të gjithë dhe pa diskriminim, si dhe është shkelur Udhëzimi Administrativ (QRK) – nr. 03/2017 për trajtim mjekësor jashtë institucioneve shëndetësore publike”.

Ky Udhëzim Administrativ përcakton procedurën e aplikimit dhe dokumentet e nevojshme për të aplikuar në këtë program.

Ndërkaq, paditësja ka vepruar sipas këtij Udhëzimi Administrativ, mirëpo Komisioni i ankesave ka konstatuar gjendjen faktike në mënyrë të gabuar dhe jo të plotë duke e zbatuar gabimisht këtë akt.

“Pra, me këtë vendim paditëses i është rrezikuar jeta dhe ajo nuk ka arritur ta marrë kujdesin shëndetësor e duhur në institucionet shëndetësore publike në Kosovë e as të përfitojë nga programi për t’u shëruar jashtë vendit”.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike dhe qytetarja e dëmtuar synojnë që të anulohet ky vendim dhe Ministria e Shëndetësisë t’i ndërmerr gjitha masat e nevojshme që legjislacioni të zbatohet në përpikmëri, duke ofruar për të gjithë qytetarët dhe banorët e Republikës së Kosovës qasje dhe mundësi të barabarta në kujdes shëndetësor.