Iu gjet ekstazi në lokalin ku bënte tatuazhe, ferizajasi mohon fajin para gjykatës

I akuzuari për posedim të paautorizuar të narkotikëve, Lumbardh Kashtanjeva, është deklaruar i pafajshëm, në seancën fillestare të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Pas udhëzimeve nga ana e gjykatësit Imri Sejda, lidhur me të drejtat dhe detyrimet e të pandehurit në këtë procedurë gjyqësore, si dhe pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Luljeta Bilalli, i akuzuari Kashtanjeva ka mohuar kryerjen e kësaj vepre penale.

“Nuk e pranoj fajësinë për këtë vepër penale. Kjo lëndë narkotike më është gjetur në lokalin ku unë bëj tatuazhe, dhe jo mua. Policia e ka gjetur ekstazinë afër një kompjuteri, i cili ka qenë në lokal. Unë e di se e kujt ka qenë, dhe ka edhe persona të tjerë të cilët mund të dëshmojnë se e kujt ka qenë”, ka thënë ai.

Pas kësaj, gjykatësi Sejda, e ka njoftuar atë në të drejtën e tij ligjore, që në afat prej 30 ditësh mund të paraqes kundërshtimet lidhur me provat, apo kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 shkurt 2019, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Lumbardh Kashtanjeva, po akuzohet se më 26 dhjetor 2018, rreth orës 21:00, pas një kontrolle nga policia në lokalin e tij në Ferizaj, i ishte gjetur një qese ku në të ishte një copë e substancës narkotike e llojit ekstazi, të cilën e kishte poseduar pa autorizim.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, nga neni 275, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi/

loading…