Iu dështoi protesta, Vetëvendosja aktivizohen në Facebook me statuse kundër “Zajednicës”

Lëvizja Vetëvendosje synoi që në mënyrë implicite të maste elektrizimin e masës. Protesta e sotme dëshmoi se vullneti për t’u çjerrë për kauza të paprekshme nuk është më i njëjti. Kësisoj, subjekti politik në qeverisje ka aktivizuar makinerinë e propagandës nëpër rrjete sociale si alternativë për ta kundërshtuar atë që lideri i tyre nuk po e kundërshton, “Zajednicën” e famshme.

Deputetët e VV-së janë rreshtuar me reagime në rrjetin social ‘Facebook’ dhe nuk janë parë asnjëri nëpër sheshet e Prishtinës e konferenca për media, sikurse dikur përpara se të mbërrinin pushtetin, shkruan Demokracia.com.

Njëri nga deputetët, Adnan Rrustemi, ka përkujtuar se sa herë përmendet në Kushtetutë serb pak para takimit për “Zajednicën” në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, ku pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të institucioneve qendrore.

“Në Kushtetutën e Kosovës termi ‘shqiptar’ apo ‘shqip’ përdoret vetëm DY HERË. Në nenin 3 kur thuhet se Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, dhe, në nenin 5 kur përmenden gjuhët zyrtare: Gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës janë Gjuha Shqipe dhe Gjuha Serbe. Termi ‘serb’ apo ‘serbe’ përdoret PESËMBËDHJETË HERË… Tash edhe Asociacioni…?!”, deklaroi Rrustemi në ‘Facebook’.

Reagimi për “Zajednicën” nga ‘Facebook’-u bëri edhe deputetja e heshtur e Kuvendit të Kosovës, duke e shprehur kundërshtimin përmes shprehjeve poetike.

“Me biletë për një drejtim të gabuar, nuk ka vajtje – ardhje. #përnjështetfunksional”, ka shkruar ajo.

Deputeti tjetër i VV-së, Armend Muja, në të njëjtën kohë sa takoheshin përfaqësues të institucioneve qendrore, e avokonte “Zajednicën” si kërkesë të Serbisë dhe na tregonte se si ajo i ndanë serbët.

“Asociacioni, në çdo format të tij, do të thotë territorializim i të drejtave dhe instrumentalizim i serbëve në Kosovë. Ai është kërkesë dhe synim i Serbisë. Nuk është për serbët e Kosovës. Është kundër Kosovës. Nuk i avancon të drejtat e serbëve. Avancon ndikimin e Serbisë në Kosovë. Nuk i integron serbët. I ndanë dhe i izolon ata. Bashkëjetesa, jo izolimi, është vlerë perëndimore. Kështu na është thënë në dy dekadat e fundit. Kështu vazhdojmë të besojmë edhe sot”, deklaroi ai po ashtu në ‘Facebook’.

Deputetja tjetër, Tinka Kurti, nga ‘Facebook’-u në vend të Asociacionit ka kërkuar “demilitarizim, amndej kthim të shqiptarëve në veri”.

“Me kërku Asociacion është si me kërku shpërblim për barrikaduesit. Kjo është t’ua dhurosh Asociacionin barrikadave. Fjalëpërfjalshëm në duar jo të sigurta. Asnjë armë nuk është dorëzuar. Duhet demilitarizim. Mandej kthim i shqiptarëve në veri. Ky duhej të ishte rendi i gjërave deri tash”, thuhet në opinionin e saj të shpërndarë në ‘Facebook’.

Krejt këto reagime erdhën pasi Vetëvendosjes i dështoi protesta kundër “Zajednicën” dhe, përfundimisht, edhe u shuan kërkesat për zgjerim të sheshit për shkak të numrit të vogël të pjesëmarrësve.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka bërë të ditur pas takimit konsultativ se SHBA vazhdon të avokojë pro zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të dalë nga dialogu me Serbinë.

“Sot mbajtëm një seancë dëgjimore në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Mirënjohës ndaj palëve të interesuara të pranishëm për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizën e tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha angazhimeve të Dialogut”, deklaroi ai.