“Italianët të parët” prek edhe kuzhinën. Rai largon shefin e famshëm, duheshin receta “vetëm” italiane

Një gazetar kulinarie dhe shef kuzhine gjithashtu, i cili ofronte receta gatimi për versionin italian të britanikes “Ready Steady Cook” e ka braktisur shfaqjen me pretendimin se rrjeti televiziv shtetëror italian “Rai” i kishte kërkuar atij të hiqte dorë nga recetat e huaja.

Vittorio Castellani, i njohur edhe si shef Kumalé, ka rrëfyer se drejtues të Rait i kishin thënë atij përmes një telefonate të javës së kaluar se roli i tij ishte pezulluar përkohësisht, për shkak se producentët e programit të prezantuar nga Elena Isoardi, e dashura e zv.kryeministrit të ekstremit të djathtë në Itali, Matteo Salvini, kishte kërkuar t’i jepte më shumë hapësirë ushqimit “multirajonal” italian, në vend të ushqimit “multikulturor”.

Castellani kishte punuar për dy episode të shfaqjes, të quajtur “La Prova del Cuoco” (Testi i shefave), që kur sezoni i ri nisi në muajin shtator në Raiuno, duke zhvilluar receta gatimi të ndryshme, përfshi “tortilla”-t meksikane dhe mishin me erëza “Keralan”.

“Më thanë se episodi im do të pezullohej për t’u rikthyer më vonë, sepse shikuesit nuk i pëlqenin recetat e huaja të gatimit”, është shprehur Castellani.

Rai, megjithatë, i ka mohuar pretendimet e tij, duke thënë se nuk ka “përzgjedhje tematike” të recetave të përdorura në këtë shfaqje.

“Nga 10 shtatori, kur nisi sezoni i ri, shumë receta jotradicionale italiane janë përdorur në emision. Vetëm sot (e hënë) patëllxhani parmixhan u prezantua në kombinim me uramakin japonez”.

Castellani njoftoi largimin e tij përmes Facebookut, duke sugjeruar se slogani “Italianët të parët” i promovuar nga partia e Lega Nordit të Salvinit kishte shtrirë rrënjët edhe në konceptin e kuzhinës “vetëm italiane”. Por, më vonë ai e fshiu publikimin e tij, pasi një gazetë italiane kishte lënë të kuptohet se vendimi mund të jetë marrë nga Isoardi, e cila mori drejtimin e kësaj shfaqjeje pas largimit të Antonella Clericit pas plot 18 vitesh.