Anëtarësimi në KiE

Italianët ia ndërrojnë lojën Kurtit, ia çesin në votim/ndryshim pikën për Asociacionin në raportin e Bakoyanis

Trumbeta binte me frymë të gëzueshme nga Qeveria e Kosovës duke u thirrur në pikën 11 të Raportit të Dora Bakoyanis dhe duke e injoruar në tërësi pikën 39. E jepnin se anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës po e arrinin duke u shmangur pa u djersitur nga tema e nxehtë e Asociacionit të Komunat të banuara me shumicë serbe. Vetëm me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për 24 hektarët e Manastirit të Deçanit, në bazë të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe vartësve të tij në Ministrinë e Jashtme, kjo do të ishte punë që kryhet. Por, po del se s’është kështu. Pse?

Thënë thjesht: Nëse amendamenti i propozuar sot nga italianët në Asamblenë Parlamentare (jo larg mëndësh, nga mbarë QUINT-i) kalon nesër atëherë nuk ka anëtarësim në Këshill të Evropës pa e hapur procesin për themelimin e Asociacionit; hapi i parë i të cilit është dërgimi i draft-Statutit të Asociacionit për vlerësim kushtetues në Gjykatën Kushtetuese deri më 10 maj.

I pari që kishte dalë të kumtonte lajmin e gëzueshëm duke lexuar selektivisht vetëm pikën 11 kishte qenë zv/ministri incognito i jashtëm, Kreshnik Ahmeti, i cili e valëviste atë pikë me sigurinë epistemiko-juridike me të mëdha, se Asociacioni do të ishte “zotim për përmbushje pas anëtarësimit”; dhe se kështu e shihte Asambleja Parlamentare (por, jo edhe Komiteti i Ministrave, si instanca e fundit vendimmarrëse).

Megjithatë, edhe kjo pikë e 11 po del të jetë si një kështjellë prej rëre e cila mund të rrëzohet hiç më larg se nesër; amendamentimi i të cilës u kërkua nga shtatë delegatë italianë; dhe atë mu një ditë para votimit të nesërm në Asamblenë Parlamentare të raportit-rekomandues të Dora Bakoyanis që fton Kosovën për anëtarësim në KiE; dhe e cila duhet të gjejë vendimmarrje finale në Këshillin e Ministrave diku në mes të muajit maj.

Çka thonë italianët (dhe jo larg mëndësh, QUINT-i)? Kërkojnë zëvendësimin e pikës 11 me një frazim/kusht shumë më të rëndë për nga pesha se ç’e jep Dora Bakoyanis në nivel të Asamblesë Parlamentar.

Në rend të parë paragrafi i shkruar nga Dora Bakoyanis thotë kështu: “Kuvendi e konsideron themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe një hap të rëndësishëm dhe një mënyrë për të rritur pjesëmarrjen dhe fuqizimin demokratik të serbëve të Kosovës dhe për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të tyre. Asambleja konsideron se themelimi i Asociacionit duhet të përfshihet në shqyrtimin e ardhshëm të Kosovës nga Komiteti i Ministrave aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si një angazhim pas anëtarësimit për Kosovën”.

Megjithatë italianët – me ç’duket dhe çka s’është larg mëndësh në dritën e kushtëzimit thuajse gjysmë-zyrtar të QUINT-it ndaj Qeverisë së Kosovës që të procedojnë për në kushtetuese draft-Statutin e Asociacionit – nesër synojnë të ndërrojnë hesapin në paragrafin 11 të Dora Bakoyanis me duke synuar këtë amendamentim, përkatësisht plotësisht/ndryshim.

Në projekt opinion, paragrafi 11 zëvendësohet me paragrafin e mëposhtëm:

“Asambleja konsideron që themelimi i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe është një hap i patejkalueshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, një obligim ndërkombëtarë i marrë nën ndërmjetësimit e dialogut të BE-së dhe mbi të gjitha një mënyrë për të zmaduar pjesëmarrjen demokratike të serbëve të Kosovës dhe të sigurohet mbrojtja e të drejtave të tyre. Asambleja, rrjedhimisht, pret që Qeveria e Kosovës të merr hapa domethënës dhe të prekshëm drejt themelimit të Asociacionit sa më parë. Asambleja konsideron që Asociacioni duhet të qëndrojë dukshëm lart në konsideratën në ardhje të Komitetit të Ministrave për aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”.

Në këtë amendament italianët veçse sjellin pikën 39 – që evitonte në përmendje Qeveria e Kosovës – dhe e vendos edhe në pikën 11; me të cilën mburreshin se e kishin zotim pas-anëtarësimit.

Nëse ky amendament kalon nesër atëherë nuk ka anëtarësim në Këshill të Evropës pa e hapur procesin për themelimin e Asociacionit; hapi i parë i të cilit është dërgimi i draft-Statutit të Asociacionit për vlerësim kushtetues në Gjykatën Kushtetuese deri më 10 maj.

VIDEO BONUS: