Isufi: Ideja për ndryshim kufijsh është thirrje për luftë

Deklarata e komisionarit Johannes Hahn se nëse palët dëshirojnë, shkëmbimi i mundshëm i territoreve mund të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare Kosovë – Serbi ka rindezur “luftën” politike në vend.

Përfaqësuesit e partive politike thonë se deklaratat e tilla para takimit të Berlinit janë të dëmshme dhe njëkohësisht ideja për ndryshim kufijsh është thirrje për luftë, shkruan sot Gazeta Zëri.

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, subjekt politik ky që udhëheq me Qeverinë e Kosovës, është shprehur për “Zërin” se ideja e presidentit Thaçi për ndryshim të kufijve është thirrje për luftë.

Sipas tij, një ide e tillë jo vetëm që është e papranueshme për Qeverinë e Kosovës, por nuk është e pranueshme as për partinë të cilën e ka udhëhequr më herët presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

“Për Qeverinë e Kosovës idetë e tilla janë të papranueshme. Kjo temë nuk pranohet as nga partitë politike të Kosovës e as nga partia nga e cila ka dalë zoti Thaçi, prandaj nuk mund të avancohet më tutje një ide e tillë. Serbia duhet ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran, pastaj të mundë të ketë tema bisedimesh që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes Serbisë e Kosovës. Por në këtë fazë konsiderojmë se çdo tendencë për të ofruar ndryshimin e kufijve është thirrje për luftë”, ka thënë Isufi.