Isufaj takohet me përfaqësues britanikë të KFOR-it, flasin për gjendjen e sigurisë

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, të premten është takuar me përfaqësues të Task-forcës britanike të KFOR-it në Kosovë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë në këtë takim është biseduar për nevojën e koordinimit në mes të institucioneve të sigurisë në vend, për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët, si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe intensifikimit të takimeve të përbashkëta për funksionimin, punën dhe angazhimin e institucionit të Prokurorisë Speciale.

“Përfaqësuesit e Task-forcës britanike të KFOR-it, kanë shprehur gatishmërinë për të siguruar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët, ndërkohë që po vazhdojnë të monitorojmë nga afër situatën e sigurisë, si dhe kanë ofruar bashkëpunim me Prokurorinë Speciale”, thuhet në njoftim.

Kryeprokurori Isufaj, citohet të ketë theksuar përkushtimin për të koordinuar veprimet institucionale që garantojnë sundimin e rendit dhe ligjit.