Isufaj e Geci mbesin në garë për kryeprokuror special

Prokurorët Blerim Isufaj e Haki Geci siç ka mësuar Koha Ditore janë emrat që do të dërgohen për votim në Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Dje janë intervistuar katër kandidatët për kryeprokuror special nga komisioni i përbërë prej tre prokurorëve.

Prokurori special, Atdhe Dema e prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti nuk janë poentuar mjaftueshëm sa për të kaluar në fazën e dytë.

Siç ka mësuar gazeta kandidatët sot janë njoftuar me rezultatin.

Prokurori i Zyrës se Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi që është kryetar i këtij komisioni ka konfirmuar se janë përzgjedhur dy emra që do të dërgohen në KPK për votim.

“Nuk do të doja të deklarohesha në këtë fazë se kush janë emrat që do të dërgohen për votim për shkak se kandidatët kanë kohë ankese 5 ditë dhe vetëm pas shqyrtimit të ankesave emrat dërgohen në Këshill për t’u votuar”, ka thënë ai.

Prokuroria Speciale në bazë të kompetencave ligjore, përmbajtjesore e territoriale është institucioni me i rëndësishëm i ndjekjes në Kosovë. Kjo pasi që me ligj i takon kësaj prokurorie të ndjekë atë çka cilësohet si ‘korrupsion i profilit të lartë’. Zgjedhja e kryeprokurorit të ri vjen për shkak që kryeprokurori aktual Reshat Millaku pensionohet këtë të premte.

Në janar të këtij viti, para ndryshimeve në përbërjen e KPK-së gazeta bazuar në burime brenda këtij institucioni pati raportuar se ekziston një marrëveshje brenda Këshillit që për t’u votuar Bahri Hyseni si kryesues i KPK- së do të duhet që me pas të votohet ish-kryesuesi Blerim Isufaj për kreun e Prokurorisë Speciale. Hyseni është zgjedhur kryesues në janarin e vitit 2019.