Kandidati për kryetar të Komunës së Deçanit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bashkim Ramosaj, ka zhvilluar një takim me banorët e fshatit Isniq, ku është pritur me entuziazëm dhe mbështetje të madhe për zgjedhjet e 12 tetorit.

Ramosaj tha se takimi i ngrohtë me banorët e Isniqit është edhe një dëshmi e besimit të palëkundur që qytetarët kanë në vizionin dhe programin e AAK-së për të ardhmen e Deçanit.

“Entuziazëm dhe vullnet i madh në Isniq, i shprehur sonte nga takimi i ngrohtë me banorët e këtij lokaliteti, për fitoren e madhe më 12 tetor. Besimi në vizionin dhe programin politik të AAK-së ka qenë dhe mbetet i palëkundur në çdo cep të komunës së Deçanit,” u shpreh Ramosaj.

Ai gjithashtu falënderoi banorët për mbështetjen ndaj tij si kandidat për kryetar, si dhe ndaj kandidatëve për Asamblenë Komunale, Muhamet Bojkaj dhe Mentor Januzaj.

“Faleminderit nga zemra Isniq, për besimin e dhënë ndaj meje si kryetar dhe ndaj kandidatëve për Asamble. Do të jemi bashkë gjithmonë,” theksoi Ramosaj.

AAK e konsideron këtë mbështetje si sinjal të fuqishëm për një fitore të madhe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.