Ismaili: Debati për Prishtinën me kundërkandidatët është i domosdoshëm

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për të parin e Prishtinës, Uran Ismaili, thotë se gjithë projektin e tij për kryeqytetin e ka fokusuar kah e ardhmja.

Ismaili deklaroi se Prishtina është vend që çdoherë ka krijuar trende e pikërisht për këtë garon që kryeqyteti të ketë një të ardhme më të mirë.

“Dëshiroj që unë dhe Prishtina të konkurrojmë për të ardhmen dhe të gjitha pjesët e Prishtinës të jenë vende më të mira në të ardhmen. Prishtina është qyteti që krijon trende dhe çdoherë ka krijuar. Prishtina është vendi që ka potencialin e grumbulluar në një vend nga e gjithë Kosova”.

“Sot unë garoj për të ardhmen, Prishtina çdoherë ka garantuar potencial për Kosovën është bë diçka edhe është bë pak për të – por un nuk dua të merrem me të kaluarën dhe të fokusohem tek e ardhmja. Udhëheqjen time me Prishtinën e shoh bashkë me qytetarët për gjithë problemet e tyre”.

Ismaili mes tjerash tha se debati për kryeqytetin bashkë me kundërkandidatët është i domosdoshëm.

“Secili kandidatë po mundohet në formën e vet – kandidaturën time e shoh si zgjatim natyral të Prishtinës dhe mundësi që përvojën, shkollimin tim dhe pasionin për qeverisjen lokale ta fus në funksion”.

“Kam respekt për të gjithë kundër kandidatët por e shoh si një garë tejet të rëndësishme për gjithë qytetarët. Debatet janë të rëndësishme për problemet që ka Prishtina dhe diskutimi për të gjitha problemet bashkë me ta është shumë i domosdoshëm” tha Ismaili në Klan Kosova.