Islanda të shtunën heq të gjitha kufizimet anti-COVID

Islanda do t’i heqë të gjitha kufizimet anti-COVID duke filluar nga e shtuna. Islanda do të bëhet vendi i parë evropian që ndërmerr diçka të tillë.

Ministrja e Shëndetësisë, Svandís Svavarsdóttir, bëri të ditur ditën e sotme se nga e shtuna islandezët nuk do të jenë më të detyruar që të mbajnë distancë sociale apo të vendosin maska.

Vendi ka në fuqi një sistem të mirë testimi dhe gjurmimi dhe i ka shtrënguar masat deri më tani për të frenuar rritjen e rasteve.

Veç maskës, tashmë hiqet edhe kufizimi i numrit për të qëndruar në ambiente të mbyllura apo të jashtme, si dhe mbajta e distancës prej dy metrash. Të paktën 87 për qind e islandezëve e kanë marrë dozën e parë të vaksinës anti-COVID.

Islanda, e cila ka një popullsi prej vetëm 360.000 banorësh, ka një incidencë infektimesh prej 1.6 për 100.000 banorë në një mesatare dyjavore. Numri i të vdekurve është gjithashtu relativisht i ulët.