Islami: E jashtëzakonshme që Kosova tashmë ofron paqe dhe siguri përkrah misioneve paqeruajtëse

Eksperti i Sigurisë, Avni Islami, po e vlerëson si arritje jashtëzakonisht të lartë përfshirjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2021”, në kuadër të Aleancës Veriatlantike (NATO) që do të zhvillohet në Shqipëri.

Islami në Info Magazine tha se kjo dëshmon se Kosova tashmë është shtet i pjekur që mund të ofrojë paqe dhe siguri në Evropë.

“Për Ushtrinë e Kosovës është jashtë zakonisht e rëndësishme pjesëmarrja në këto stërvitje pasi tani Kosova po ofron sigurinë e cila deri tani ka pasur misione të ndryshme paqeruajtëse”.

“Ne kemi pasur shumë misione paqeruajtëse teksa tani Kosova është pjesë e misioneve shumëkombëshe dhe kjo dëshmon se Kosovë është pjekur si shtet dhe tashmë ofron paqe dhe siguri përkrah vendeve tjera”, tha Islami.

Eksperti tutje tha se jo rastësisht është zgjedhur Shqipëria si vend për tu kryer këto stërvitje.

“Jo rastësisht është zgjedhur Shqipëria pasi çdoherë ka qenë aleat i shteteve tjera dhe çdoherë ka ofruar paqe dhe siguri”.

Tutje Islami tha se e gjithë kjo stërvitje është mesazh për dikë.

“28 mijë trupa janë të gatshme ta ruajnë sigurinë në Evropën e Vjetër dhe me gjithë këto trupa Evropa dëshmon se mund të ruaj paqen e vendeve euro-atlantike të cilat krahë kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rusia vazhdimisht është duke atakuar Ballkanin ku përmes Ballkanit dëshiron të shtrijë ndikimin në Evropë, por, duke falënderuar vendet e Ballkanit duke përjashtuar Serbinë të gjitha janë pjesë e vendeve që duan paqen dhe sigurinë”, tha Islami.