ISIS-i u dobësua me kohë, vrasja e al-Baghdadit nuk sjell ndryshim

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, të dielën njoftoi se lideri i ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi është vrarë në një sulm të forcave amerikane në veriperëndim të Sirisë.

Grupi militant i të ashtuquajturit Shtet Islamik, që nga dita e diel më nuk e ka udhëheqësin e tij, pasi që siç ka njoftuar presidenti amerikan, Donald Trump, Abu Bakr al-Baghdadi është vrarë në një sulm të forcave amerikane në veriperëndim të Sirisë.

Të hënën Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët në Siri kanë thënë se zëdhënësi i grupit militant, Shteti Islamik (IS) është vrarë në një operacion të përbashkët të Shteteve të Bashkuara.

Operacioni ka ardhur pasi presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar më 27 tetor se lideri i IS-it, Abu Bakr al-Baghdadi është vrarë gjatë bastisjeve të Shteteve të Bashkuara në Siri.

Komandati i Forcave Demokratike Siriane, (FDS) Mazloum Abdi ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Tëitter se zëdhënësi i IS-it, Abu Hassan al-Muhajir është “shënjestruar” në një fshat afër qytezës, Jarabulus, afër kufirit me Turqinë, në një operacion të koordinuar në mes të inteligjencës së FDS-së dhe ushtrisë amerikane.

Mirëpo, vrasja e tyre e në veçanti vrasja e liderit të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, nuk po shihet si lajm aq sensacional sa është luftimi i ideologjisë së Shtetit Islamik.

Njohës të çështjeve të sigurisë kanë thënë se luftimi ndaj ideologjisë së të ashtuquajturit Shtet Islamik, është lufta kryesore që duhet të bëhet.

Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë për lajmi.net, se fuqia që e ka pasur i ashtuquajturi Shtet Islamik është zbehur tash e sa vite.

Sipas tij, vet fakti që al-Baghdadi ka qenë i fshehur e ka treguar që kjo organizatë nuk e ka fuqinë që e ka pasur.

“Me vet faktin se al-Baghdadi ka qenë i fshehur nëpër bodrume, është ndjerë i pasigurt dhe me vetë faktin që ai është i fshehur ai nuk ka fuqi madje as për të ndërmarrë aksione të ndryshme. Kështu që kjo duhet të merret si diçka normale pavarësisht se ka qenë kryetar i të ashtuquajturit Shtet Islamik”, është shprehur Islami për lajmi.net.

Ai po ashtu ka thënë se edhe vrasja e tij nuk është lajm sensacional, pasi siç theksoi Islami edhe luftëtarët e ISIS-it janë shpërndarë dhe shumica e tyre e kanë kuptuar se kjo është thjeshtë vetëm diçka imagjinare.

“Vrasja e liderit të ISIS-is, e al-Baghdadit, i ashtuquajturi kryetar i Shtetit Islamik, nuk përbën një lajm sensacional për shkak se i ashtuquajturi Shtet Islamik ka kohë që është dobësuar në masë aq të madhe sa që në asnjë element nuk mund të identifikohet si shtet për shkak se qendra e saj dhe të gjithë luftëtarët janë të shkapërderdhur. Në njëfarë forme edhe vet pjesa dërmuese e luftëtarëve apo pjesëtarët e Shtetit Islamik e kanë kuptuar se kjo është vetëm diçka imagjinuese”, u shpreh Islami.

Por a mund të ketë ndonjë rrezik apo hakmarrje nga ISIS-i pas vrasjes së al-Baghdadit? Islami thotë se vështirë të ndodhë kjo për shkak se është zbehur fuqia që e ka pasur kjo organizatë terroriste.

“Dhe tash edhe pas vrasjes nuk pres ndonjë ndryshim në marrjen e aksioneve të ndryshme, për shkak se edhe pse janë të lodhur ata, pavarësisht këtyre mund të ketë ndonjë indikacion mund të ketë një rast të izoluar por që nuk pres tensionim dhe organizim të grupeve terroriste që të ndërmarrin një varg sulmesh nëpër Evropë për shkak se, janë të dezorientuar dhe nuk e kanë fuqinë të cilën e kishin më parë”, ka thënë Islami për lajmi.net.

Në anën tjetër, Lukas Dycka, eksperti çek i sigurisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se vrasja e liderit të IS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, ka ndodhur shumë vonë dhe se do të ishte shumë më e dobishme sikur të ndodhte më herët.

Sipas tij, grupi militant Shteti Islamik është kryesisht i vdekur, por që luftëtarët e tij dhe ideologjia do të transformohen në diçka tjetër, në ndonjë vend tjetër.

Duhet theksuar se edhe nga Kosova ka pasur mjaftë persona që i janë bashkuar kësaj “ushtrie” dhe se shkuarjet e para në zonën e konfliktit në Siri dhe më pas në Irak janë regjistruar në mesin e vitit 2012.

Llogaritet që numri i kosovarëve që i janë bashkuar kësaj “ushtrie” është mbi 300 përfshirë këtu gra dhe fëmijë, ndërkaq janë rreth 80 persona që llogaritet të jenë vrarë në këto zona të konfliktit, raporton lajmi.net.

Por në muajin prill të vitit 2019, Kosova u bë një nga vendet e para në botë e cila kthen qytetarët e saj nga zonat e konfliktit në Siri. Në mesnatën e 19 prillit, 110 kosovarë duke përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë u kthyen në Kosovë.

Pas 72 orëve të mbajtjes së të kthyerave në Qendrën për të Huaj në fshatin Vranidoll, që gjendet në periferi të Prishtinës, të gjitha gratë dhe fëmijët u lejuan që të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

Para se te liroheshin, gratë u intervistuan nga hetuesit, ndërkohë që Prokuroria Speciale e Kosovës rinisi procedurat hetimore ndaj 32 grave, nën dyshimet për pjesëmarrje apo bashkim në organizata terroriste.

Ditën kur përfundoi aksioni i kthimit të 110 kosovarëve, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj bëri të ditur se në Siri ende vazhdojnë të mbesin 87 kosovarë, mirëpo nuk u dhanë detaje të tjera nëse do të ketë një aksion tjetër të kthimit të tyre në Kosovë.

Operacioni për kthimin e 110 kosovarëve u përshëndet nga ambasada e SHBA-së në Prishtinë, ndërkohë që zëdhënësi i ushtrisë amerikane, Sean Robertson tha se janë përdorur asete të SHBA-së për të mbështetur operacionin e riatdhesimit duke mos dhënë më shumë detaje, për siç tha ai, shkaqe sigurie.

loading…