ISIS bën thirrje për hakmarrje pas sulmit në Zelandën e Re

Liderët e ISIS-it kanë bërë thirrje tek ekstremistët e tyre që të ‘hakmirren’ për sulmin në xhami në Zelandën e Re, ku mbetën të vrarë 50 persona.

Shumë persona janë vrarë në një sulm në Christchurch në ditën e premte, nga një person Australian, i cili dyshohet se është supremacist i racës së bardhë.

Sipas New York Times, zëdhënësi i organizatës terroriste ISIS, Abu Hassan al-Muhajir, ka thyer heshtjen pas 6 muajsh që nuk kishte folur publikisht, duke bërë ftesë për hakmarrje.

“Skenat që ndodhën në masakër tek dy xhamitë në Zelandë të Re duhet të zgjojnë të gjithë ata që janë mashtruar së bashku me përkrahësit e kalifatit që t’i dalin në krah fesë së tyre”, ka thënë Al-Muhajir, transmeton Ballkani.info.

Kujtojmë se sulmuesi që kreu masakrën në dy xhami të Zelandës së Re, Brenton Tarrant, tashmë është në duart e drejtësisë, ndërsa familjarët e tij kanë kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të. /Ballkani.info