Ishte plagosur rëndë në luftë | Kush ishte Agron Haradinaj, ushtari i UÇK-së që vdiq sot?

Agron Haradinaj, njëri ndër luftëtarët e parë të UÇK-së, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë e shkaktuar nga presioni i shpërthimit të raketës së hedhur nga avionët e ushtrisë serbe në fshatin Prilep të Deçanit, vdiq sot. Të pikëlluar për vdekjen e tij ishin shumë bashkëluftëtarë të Agronit, të cilët në ngushëllimet e tyre rrëfyen shumë të pathëna për kontributin e tij në luftën për liri.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Agroni ka qenë gjithmonë në shërbim të vendit. Ai tha se Agroni ka qenë një ndër luftëtarët më të aftë të Ushtrisë Çlirimtare.

“Thellësisht i pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Agronit! Agroni një jetë të tërë ishte në shërbim të Atdheut, para lufte, në luftë e në paqe. Bashkë më të vëllain Nasimin, angazhimin për vendin e kishte trashëguar nga i ati Smajl Haradinaj. Ai ishte i burgosuri politik më i ri në moshë në Jugosllavinë e atëhershme ndërsa u shqua si njëri ndër luftëtarët më të zotë të Ushtrisë Çlirimtare.” – shkroi Haradinaj mes tjerash në Facebook.

I shokuar me vdekjen e Agron Haradinajt ishte edhe Xhavit Haliti i cili, përmes një postimi në Facebook, tregoi se si Agroni që i ri ndoqi rrugëtimin tradicional të familjes për atdhedashuri.

Haliti tha se ai ishte një nga të burgosurit politik dhe një nga ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Më la pa fjalë lajmi për vdekjen e Agron Haradinajt. Agroni qysh si i ri e ndoqi traditën famlijare në rrugën e atdhedashurisë. Ishte një nga të burgosurit politik më të ri në moshë, kurse gjatë luftës çlirimtare një nga ushtarët e parë të UÇK-së. Ngushëllime familjes Haradinaj, bashkëluftëtarëve, miqve dhe shokëve të Agronit! Agron, u prehsh në paqe!” – tha Haliti.

E dëshpëruar për vdekjen e ish-luftëtarit të UÇK-së është shprehur edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila ka ndarë momentin e takimit me vëllain e tij, Nasim Haradinaj, i cili ndodhet në Hagë së bashku me ish-liderët tjerë. të UÇK-së./nacionale

“Herën e fundit u takuam në Rosenheim me ty Agron. Të kishte rënduar sëmundja shumë por nuk e kishe humbur shpresën se do ta takosh edhe njëherë heroin tënd e të shqiptarëve Nasimin. U përlote kur në sallë mbi 400 veta u ngritën në këmbë sapo u përmend emri yt. Ata lot nuk ishin lot ligshtimi ishin lot krenarie. Sot dhimbjet tua pushuan, por jehona e veprës tënde për atdhe jehon me shumë se kurrë. Ndaj dhimbjen me Familjen Haradinaj dhe iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta! Shpirti yt pushoftë në paqen e përjetësisë Agron!” – shkroi Musliu në Facebook.

Daut Haradinaj, bashkëluftëtari i të ndjerit Agron Haradinaj, përmes një shkrimi në Facebook, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen e tij nga jeta.

Ai ka thënë se ndonëse jeta për të ishte e padrejtë, Agroni qëndroi i palëkundur.

“I pikëlluar për ndarjen nga jeta të bashkëluftëtarit tonë, Agron Haradinaj! Jeta për ty nuk ishte aspak e drejt, por ti qëndrove i palëkundur. Shumë breza do rriten me lavdinë tuaj ashtu siç u rrita unë dhe mijëra bashkëluftëtarë, që ty të kishim inspirim të guximit dhe përkushtimit për liri. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!” – shkroi Haradinaj.