Ish-zëdhënësi i NATO’s: BE të mos e pranojë Serbinë pa e zgjidhur problemin me Kosovën

Ish-zëdhënësi i NATO’s gjatë fushatës ajrore kundër Serbisë në vitin 1999, Jamie Shea, ka porositur Bashkimin Evropian që Serbia mos të pranohet pa zgjidhur problemin me Kosovën dhe ta njoh pavarësinë e saj.

Shea ka thënë se nëse bisedimet Beograd-Prishtinë përparojnë, atëherë vendet e BE’së që se kanë njohur Kosovën vështirë se nuk do ta njohin atë.

“Diplomacia nuk është kurrë e lehtë. Kjo është arsyeja pse ne gjithmonë kemi nevojë për diplomatë të mirë. Por nuk është as e pamundur, pasi këtë na kujton zgjidhja e mosmarrëveshjes për emrin midis Greqisë dhe Maqedonisë Veriore. Kjo i ka mundësuar Maqedonisë Veriore që tani të anëtarësohet në NATO dhe së shpejti të hap negociatat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nëse bisedimet Beograd-Prishtinë përparojnë, do të jetë më e vështirë për anëtarët e BE që kanë mbajtur peng njohjen e Kosovës, dhe Rusia për të mbajtur qëndrimet e tyre. Nëse fqinjët e Kosovës të gjithë e njohin Kosovën dhe jetojnë të lumtur përkrah saj, atëherë si mund të refuzojnë vendet e tjera ta bëjnë këtë? Unë mendoj se çelësi këtu është që BE-ja të mos i japë Serbisë anëtarësimin në BE derisa të zgjidhë dallimet e saj me Kosovën. Ky është një ndikim i rëndësishëm që BE-ja duhet të përdorë në mënyrë konstruktive dhe me mençuri. Dhe duhet të përfshijë mbështetjen e Beogradit edhe për anëtarësimin e ardhshëm të Kosovës në BE. Sigurisht pasiqë Prishtina t’i ketë përmbushur të gjitha standardet dhe kushtet e BE-së”, tha Shea për Kosova Press.

Shea ka thënë se gjithçka është e mundur në dialogun mes dy vendeve, ku edhe njohja e pavarësisë nga Serbia mund të jetë diçka reale.

“Po. Gjithçka është e mundur me udhëheqje dhe vizion. Unë kurrë nuk kam pranuar qëndrimin se ne nuk mund të bëjmë diçka për shkak të kundërshtimit të opinionit publik. Është detyrë e udhëheqjes politike për të formësuar opinionin publik”, tha Shea.

Shea ka thënë se është kundër ndryshimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve, po ashtu tha se beson shumë se Amerika do ta zgjidhë problemin mes Kosovës dhe Serbisë.