Jemi mësuar teksa shohim artistë të shumtë, të cilët në forma të ndryshme shprehin respektin dhe dashurinë për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë, që sot gëzojmë.

Disa përmes vargjeve, e disa të tjerë përmes bronzit shkrijnë shpirtin e tyre për të lartësuar dëshmorët dhe heronjtë, të cilët sot i bëjnë roje atdheut.
Mirëpo, Fehmi Hoxha, ish-ushtar i UÇK-së ndonëse me profesion nuk është artist, padyshim që me shpirtin e tij i takon botës së artit.
Ai së fundi ka realizuar dy vepra arti, ku në njëren përmes gdhendjes në dru ka realizuar figurën e legjendarit Adem Jashari, si dhe tjetrën me anë të gjipsit ka realizuar emblemën e UÇK-së.

Fehmi Hoxha, që gjatë luftës së fundit në Kosovë shërbente si ushtar në Zonën Operative të Pashtrikut – Brigada 122 “Imer Krasniqi”, në një prononcim për Ballkani.info ka thënë se përveç dashurisë ndaj vendit, ka qenë dhe obligim moral të veshte unifromën e UÇK-së.

“Kam qenë ndër ushtarët më të rinj të asaj pjese, ku kam shërbyer. Kam pasur vullnet dhe shumë dëshirë që të jem krahë shokëve me të cilët na bashkonte ideali, deri në çlirimin dhe bërjen e shtetit tonë ku fëmijët tanë të mësojnë pa frikë shqip dhe që gjithçka të frymojë lirshëm në traditat tona shqiptare”- theksoi Hoxha.

Ndërsa, ai komenton veprat të cilat i ka punuar me anë të të cilave synon që së pari fëmijëve të vet t’ua mësojë kontributin dhe sakrificën e legjendarit Adem Jashari, si dhe të familjes së tij.

“Jo rastësisht kam zgjedhur të punoj figuren e Adem Jasharit, meqenëse ai edhe më ka dhënë zemër të marrë armët dhe të vazhdojë luftën e tij. Çdo gdhendje që kam realizuar në këtë figurë, më kanë rikthyer kujtime nga më të ndryshmet. Duke filluar nga humbja e shokëve, plagosjet e vazhdueshme, mungesa e veshmbathjeve, armatimit, e ushqimit e në anën tjetër kujtimet e krenarisë të cilat më së shpeshti na bashkonin në oda përmes këngëve dhe çiftelisë derisa bënim roje… Dhe, përderisa kam punuar figurën e legjendarit Adem Jashari kam pasur afër fëmijët e mijë dhe besoj që kjo ka qenë edhe mënyra më e duhur që ata të mësojnë për historinë e lavdishme të popullit të Kosovës, të njihen me heronjtë e këtij vendi dhe të rriten me dashurinë për Kosovën”, thotë Hoxha.

Ai duke folur edhe rreth punimit të emblemës së UÇK-së, vlerëson që kontributin e gjithsecilit që iu është përgjigjur dhe ka përkrahur luftën e UÇK-së.

“Njëra nga arsyet që kam përzgjedhur të punoj emblemën e UÇK-së, është sepse ka qenë epoka më e lavdishme nëpër të cilën kam kaluar”.

Ish ushtari komenton edhe ftesat e Gjykatës Speciale, ku sipas tij këto akuza ndaj ish luftëtarëve përveç që janë të padrejta, tendencioze.

“Unë dhe vëllau i madh Gjevgjeti jemi inkuadruar në luftë me qëllimin e vetëm që Kosova të çlirohet nga pushtuesi serb. Si unë po ashtu edhe vëllau im kemi qenë ushtarë të thjeshtë. Me këtë dua të them, me vete kemi pas vetëm armët dhe idealin. E tani, akuzat dhe zhurmat e vazhdueshme kundrejt UÇK-së janë përkeqardhje. Kemi dëgjuar që ftesa nga Gjykata Speciale kanë marrë edhe disa nga grupi ku kemi qenë edhe ne, dhe padiskutim që është absurde”-ka përfunduar ish ushtari i UÇK-së, Fehmi Hoxha. /Ballkani.info/