Real Madridi

Ish-skauti i Real Madridit kërkon largimin e Vinicius: Ai nuk do të shkojë larg me mentalitetin e tij

Një ndër lojtarët kyç të Real Madridit tash e disa vite është padyshim ylli brazilian Vinicius Junior. Sidomos që prej largimit të Karim Benzemas, ai ka bërë një hap para duke udhëhequr sulmin e gjigantit spanjoll.

Sidoqoftë, ka nga ata persona që mendojnë se Vinicius duhet të shitet nga Real Madridi, madje duke thënë se ai duhet të zëvendësohet me Khvicha Kvaratskhelia të Napolit.

Në një intervistë për Carrusel Deportivo, ish-skauti i Real Madridit, Manolo Romero, i ka kërkuar klubit që ta konsiderojë mundësinë që të shkëmbejë Vinicius Junior me Kvaratskhelian.

“Me mentalitetin e tij ai nuk do të shkojë larg. Ai nuk do të arrijë asgjë. Unë do ta shkëmbeja atë me Kvaratskhelia pa hezituar fare”, ka thënë Romero.

Në moshën vetëm 23-vjeçare, Vinicius tashmë ka fituar 10 trofe me Madridin duke shënuar 75 gola dhe duke bërë 72 asistime në 252 ndeshje të luajtura.

Forma e tij e lartë kishte bërë që Vinicius të ishte pjesë e top dhjetëshes së lojtarëve më të mirë në renditjen finale të Topit të Artë.

Vinicius Junior deri në këtë fazë të sezonit ka shënuar 19 gola duke përfshirë het-trikun ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës.