Ish-punëtorët e “Sharrit” i akuzojnë komandantët për uzurpim të fabrikave

Këshilli Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve dhe Shoqërisë Aksionare të kombinatit “Sharri”, në Hanin e Elezit, nëpërmjet një shkrese ka akuzuar ish- komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njerëzit e politikës për uzurpim të fabrikave në kombinatin “Sharr”, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas këtij këshilli, privatizimi i kombinatit “Sharr” është bërë në mënyrë të jashtëligjshme derisa kishte statutin e veçantë si shoqëri aksionare në të cilin ishin të punësuar një mijë e 876 punëtorë hisedarë.

“Komandantët e luftë së UÇK-së dhe disa qeveritarë të korruptuar menjëherë pas mbarimit të luftës i kanë ndihmuar AKM-në dhe AKP-në për t’i privatizuar dhe shkatërruar në mënyrë të jashtëligjshme fabrikat dhe statutin e kombinatit “Sharr”, megjithëse të gjithë e dinin se ky kombinat kishte statutin e shoqërisë aksionare. Punëtorëve nga katër fabrikat e kombinatit “Sharr” në vend se t’i jepej ndihma pas mbarimit të luftës për ta ringjallur prodhimin, në të kundërtën, punëtorët u dënuan edhe më rëndë nga ky privatizim ilegal”, thuhet në shkresën e KKQMDPSHA-së.

Sipas këtij këshilli, fabrika u vu nën patronazhin e disa komandantëve të zonave të ndryshme të Kosovës menjëherë pas mbarimit të luftë.