Peter Feith

Ish-përfaqësuesi special i BE-së: Kosova të ketë kujdes, mos të bëjë gabime

Ish-përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Peter Feith, ka thënë që Kosova duhet të ketë kujdes në këtë kohë, të mos bëjë gabime. Teksa thotë që është mese e qartë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk po bën hapa në drejtim të njohjes së Kosovës.

Dikur e mbante pozitën e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Mirëpo, diplomati holandez, Pieter Feith, ani pse ka përfunduar misionin për Kosovën, vazhdon edhe sot e kësaj dite t’i përcjell me vëmendje zhvillimet politike në vend.

Andaj Feith, i ka sugjeruar qeverisë Kurti që në këtë periudhë të mos bëjë gabime të panevojshme, duke i pasur parasysh zhvillimet gjeopolitike.

Megjithatë, ai thotë se i kupton vështirësitë me të cilat po ballafaqohet shteti më i ri në Evropë.

“Do të sugjeroja që Kosova të vazhdojë me këtë moment, dhe të arrijë rezultate. E dimë që s’do të jetë lehtë ashtu siç nuk ishte deri tash, sepse Serbia udhëhiqet nga një sundues autoritar, i cili është i paparashikueshëm. E dini që tash jemi në mes të një krize gjeopolitike, dhe situata e sigurisë është shumë, shumë e vështirë për momentin. E dimë pozicionin e Serbisë ndaj luftës në Ukrainë dhe miqësia me z. Putin nuk është mirë e pranuar në Bruksel. Është mese e qartë se Aleksandar Vuçiq nuk është duke bërë hapa drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. Megjithatë në këtë fazë Kosova nuk duhet të bëjë gabime të panevojshme. Mendoj që qasja e Kurtit në dialog ka qenë ma nacionaliste krahasuar me udhëheqësit e kaluar, por duhet thënë se është treguar edhe konstruktiv”, ka deklaruar ai.https://zeri.info/inarticle.html

Diplomati holandez, ka folur edhe për zgjedhjet evropiane që do të mbahen këtë vit.

Sipas tij partitë e djathta në Evropë mund të paraqesin rrezik për Kosovën, mirëpo siç thotë ai nuk ka arsye për panik.

Ai tutje konsideron se ndërmjetësuesi Lajçak ka bërë një punë të mirë në dialog, dhe se duhet t’i vazhdohet mandati.

“Do të ketë rreziqe në të ardhmen, jo vetëm nga zgjedhjet evropiane që do të sjellin para më shumë parti të djathta, por edhe me rezultatet e zgjedhjeve në SHBA, që mund t’ sjellin z. Trump mandatin e dytë. Pritjet nuk janë shumë pozitive, por nuk ka arsye për panik, nuk ka arsye të mendohet që BE-ja do të ndryshojë pozitën ndaj Kosovës. Vlerësoj se z.Lajçak ka shfaqur energji të madhe në shtyrje para të procesit dhe ruajtjen e momentit. Nëse nuk ka mjaft progres deri tash nuk mendoj që mund të fajësojmë z. Lajçak për këtë. Është e rëndësishme të kemi një afrim, dhe përmenda disa nga problemet që Kosova përballet me Serbinë për momentin”, ka shtuar ai.

Krejt në fund Feith thotë se ka zhgënjim në Bruksel për mënyrën se si po sillet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Mendoj që në bazë të dëshmive dhe fakteve rreth këtij sulmi, mendoj që ka supozim të qartë që ky sulm s’do të ndodhte pa përkrahjen e institucioneve të qeverisë serbe. Ka një pakënaqësi të madhe rreth politikave të z. Vuçiq ndaj Kosovës. Pos afrimit të lidhjeve të Serbisë me Rusinë, është edhe ky moment brengosës. Sa i përket Brukselit, nuk është e qartë, nëse Vuçiqi preferon të jetë anëtar i BE-së, ose nëse preferon të jetë në një linjë me Rusinë, nuk është akoma e qartë. Por ajo që mund të thuhet është se nuk ka përkushtim të fuqishëm nga ana e Beogradit, për të shënuar progres drejt anëtarësimit në BE”, tha ai për Teve1.

Nga blloku evropian kanë bërë të ditur se janë duke punuar për t’i bindur palët që të ulen sërish ne tryezën e bisedimeve.