Ish-partiaku i Kurtit: Albini u zhvesh nga parimet

Dikur u printe aktivistëve të Vetëvendosjes, ndërsa sot thotë se nuk do të dëshironte të ishte në lëkuren e asnjërit prej tyre.

Mendimin e tij, Frashër Krasniqi i PSD-së në një intervistë për Front Online, e arsyeton me faktin se sot ish-kolegët e tij të “Vetëvendosjes” duhej t’i mbrojnë veprimet që bien ndesh me konceptin e partisë së tyre.

“Jo, jam shumë i lumtur që nuk jam së pari në VV. Nuk do të dëshiroja me asnjë çmim të jem pjesë e një partie populiste, e cila pretendon dhe mendon që është i vetmi përfaqësues i interesit të popullit. Ka bërë ndarje të thella duke u nis nga moralizimi në politikë. Ti je i mirë dhe ti je i keq. Ti je tradhtar. Ti je jo tradhtar”, u shpreh Krasniqi.

Sipas tij, Kurti është zhveshur nga të gjitha parimet mbi të cilat e fitoi postin e kryeministrit.

“Nga premtimi që të mos përfshihet Lista Serbe në qeverisje, kaluam të sigurimi i 2 Ministrive për ta. Prej premtimit që do të kundërshtohen marrëveshjet e dëmshme me Serbinë, kaluam në një mbështetje të marrëveshjeve me Serbinë, edhe kur ato po janë të dëmshme për Republikën e Kosovës. Prej premtimit që me neve duket do të ketë pazare, kaluam në një qeveri, që kryekëput u bazua në pazare”, theksoi ai.

Ndonëse nuk do të jenë pjesë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit, Krasniqi ka paralajmëruar opozitë të ashpër ndaj qeverisë Kurti.

“Ne do të përdorim metoda të ndryshme për ta kundërshtuar Qeverinë Kurti. Kjo na kushtëzohet nga fakti që jemi subjekt jashtëparlamentar dhe në këtë kontekst hapësira e PSD-së do të krijohet përmes aktivizimit qytetarë dhe të subjektit tonë kundrejt një qeverie popiliste”, deklaroi ai.

Frashër Krasniqi së bashku me 12 deputetë të tjerë në legjislaturën e kaluar u larguan nga Vetëvendosje dhe kaluan në Partinë Socialdemokrate.

Nën petkun e kësaj partie dhe AAK-së, në zgjedhjet e 6 tetorit ai i hyri garës për t`u bërë deputet, por nuk ia doli, shkaku i votave të pamjaftueshme.