Ish-oficeri ndërlidhës mes KFOR dhe Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Ade Clewlow ka dhënë një intervistë ekskluzive rreth kohës së shërbimit të tij në Kosovë.
Clewlow në një intervistë me gazetaren Rina Mujku, thotë se para se të vinte dhe të shërbente në Kosovë ishe në dijeni për historinë tonë, njofton Klan Kosova.
Clewlow tregoi edhe për transformimin e TMK-së në FSK.
“Zgjedhja nuk ishe e imja, vendimi se a duhej apo jo që transformimi të ndodhte brenda natës, pra të shpërbëhej TMK-ja në mesnatë dhe menjëherë të lindte FSK-ja ishte njëra nga mundësitë dhe tjetra, ishte një shpërbërje e ngadaltë e TMK-së dhe formimi i FSK-së më së largu deri në Qershor të 2009-ës kur edhe ishte afati i fundit i shpërbërjes së TMK-së”.
“Por u desh një muaj apo diçka e tillë… dhe u vendos që TMK-ja të shpërbëhej brenda natës dhe pas një minute të lindte FSK, dhe kjo vonesë solli shumë probleme për një proces që veçse ishte tejet i ndërlikuar”.
Clewlow mes tjerash thotë se KFOR ka mundur të jetë më aktiv në këtë proces por nuk ndodhi një gjë e tillë.
“Misioni i KFOR-it në Kosovë që nga fillimi e deri në atë fazë ishte të siguronte një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes. Në vitin 2008, KFOR-i kishte 16 mijë trupa në Kosovë, dhe pavarësisht se tani ka më pak anëtarë misioni i tij vazhdon të jetë i njëjti, dhe plani i rrëzimit të TMK-së dhe formimit të FSK-së, ishte një mision që KFOR-it iu imponua nga ana e selisë kryesore të NATO-s, dhe mendoj se ky ishte një shpërqendrim për komandën në atë kohë”.

“Dhe nuk besoj që ata donin të arrinin sukses, dhe sikur që keni mundur ta lexoni, ka pasur disa raste kur unë e kam ndjerë se KFOR-i do të mund të ishte më aktiv në proces, sepse shndërrimi i TMK-së në FSK ishte i lidhur dhe nuk bënin njëra pa tjetrën. Ata mund të bënin më shumë por për disa arsye nuk e bënë”, deklaroi Clewlow.
“Pra plani i rrëzimit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës u shkrua nga vetë Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Kjo nuk do të ishte imagjinuar në 1999 kur TMK-ja u krijua”.
Clewlow mes tjerash tregoi edhe pse disa trupa të TMK-së nuk iu bashkuan FSK-së.
“Ishte e qartë që KFOR-i kishte kapacitete të krijonte një strategji komunikimi dhe të sqaronte se çfarë po ndodhte me TMK-në dhe me tërë procesin, por meqë KFOR-i zgjodhi të mos jetë edhe aq aktiv edhe qartësimi i procesit ishte i mangët dhe trupat brenda TMK-së donin të dinin se çfarë do të ndodhë me pensionet dhe me të ardhmen e tyre nëse nuk do të arrinin të bëheshin pjesë e FSK-së. Këto çështje për shumë njerëz brenda TMK-së ishin të ndjeshme dhe ata ndjenë se nuk iu ofroheshin shumë mundësi nëse nuk do të përzgjidheshin të jenë pjesë e FSK-së”.
Kush e bëri punën më të madhe që Forca e Sigurisë së Kosovës të krijohej sipas Clewlow?
“Forca e Sigurisë së Kosovës do të kishte sukses vetëm për shkak të njerëzve që ishin brenda saj, dhe për shkak të drejtuesve të saj. Mendoj se ekzistonte një qëllim i madh që të arrihej sukses dhe qëllim që të shkëputeshin nga e kaluara. Dhe ata që ishin në FSK e dinin që do të ishte e vështirë por me qëllimin që kishin, mendoj se një apo dy persona në FSK si gjeneral Enver Cikaqi dhe gjeneral Rama, por edhe të tjerët, ishin shumë të vendosur të arrinin sukses”, tha Clewlow.







