Sllagjana Pantoviq

Ish-nënkryetarja e Zveçanit, e afërt me Kurtin, i thur lavde terroristit të vrarë në Banjskë

Ish-nënkryetarja e komunës së Zveçanit, Sllagjana Pantoviq, e afërt me kryeministrin Albin Kurti, i ka thurur lavde njërit prej terroristëve të vrarë në aksionin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“I dashur Stefan, ti ishe një djalë i mrekullueshëm, një njeri i mirë, një fqinj i mirë. Ju u larguat nga bota shumë shpejt. Bashkëqytetarëve tuaj do t’ju mungojë buzëqeshja dhe mirësia juaj. U prehsh në paqe, engjëjt qofshin me ty. Gjithçka tjetër që do të shkruaja është e tepërt, sepse nuk ka fjalë ngushëllimi. Ngushëllime të sinqerta familjes Nedelkoviq”, shkroi Pantoviq në Facebook.

Pantoviq ka qenë kandidate për kryetare të Zveçanit, e vetmja nga komuniteti serb që garoi në zgjedhjet e fundit lokale në katër komunat veriore.

Ajo ishte emëruar nënkryetare e Komunës së Zveçanit, komunë kjo që vazhdon të udhëhiqet nga Ilir Peci i PDK-së.

Por, pak ditë pas emërimit, e njëjta ishte shkarkuar.

Pantoviq thoshte se shkarkimi i saj ka ardhur pas takimit që ajo e kishte zhvilluar me Kurtin.

Kryetari i Zveçanit, më 7 korrik njoftoi se e ka shkarkuar zëvendësen e tij Pantoviq për “tejkalim të kompetencave”.

Pantoviq thoshte se u shkarkua nga kryetari që vjen prej radhëve të PDK-së, pasi kësaj partie i kanë penguar takimet që ajo ka pasur me Kryeministrin Albin Kurti.

“PDK ka parë që shkoj disa herë te kryeministri për bisedë dhe dje pas takimit me Kryeministrin, i ka penguar ata kur kanë parë fotografinë dhe kanë menduar se shkova të bëj diçka kundër Pecit”, thuhej në njoftimin e Pantoviqit.

Nënkryetarja e shkarkuar kishte thënë se me Kurtin nuk kishte folur keq për Pecin.

Kurti ndërkaq e kishte pritur Pantoviqin në zyrën e tij në Kryeministri së paku edhe një herë më parë.

Vetë Pantoviq kishte njoftuar në profilin e saj në Facebook për takimin më 24 mars, duke e quajtur Kurtin “mik”.

“Në takimin e sotëm me mikun tim dhe kryeministrin Kurti”, kishte shkruar Pantoviq.