Omarosa

Ish-ndihmësja e Trump flet për marrëdhënien e çiftit presidencial: Melania, e neveritur prej tij

Rreth tre vjet pasi është larguar nga detyra si ish-ndihmëse politike e Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Omarosa Manigault Newman nuk i ka thënë ende të gjitha ato që ka për të thënë për sa i përket kohës së saj pranë Trumpit.

Rikujtojmë se Newman ka një histori të trazuar me Donald Trump. Presidenti e ka larguar nga detyra atë, duke quajtur një “qen” me “besueshmëri zero”.

Pretendimet e fundit të Omarosa Manigault Newman, të bëra të martën në një emision mëngjesi në Britaninë e Madhe, përfshijnë që Zonja e Parë Melania Trump nganjëherë është e neveritur nga burri i saj dhe se presidenti nuk do të largohet nga Shtëpia e Bardhë me dëshirë, nëse ai humbet ndaj kandidatit demokrat Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Është një martesë shumë e çuditshme dhe unë jam shumë e kujdesshme për të komentuar dinamikën e martesës së njerëzve – ju kurrë nuk e dini si i kanë punët mes tyre – por unë e njoh këtë çift që kur ishin vetëm të lidhur,” tha 46-vjeçarja.

“Ajo që kam vërejtur gjatë 17 viteve të fundit… Ndonjëherë ata e pëlqejnë njëri-tjetrin dhe herë të tjera ajo është e neveritur prej tij,” u shpreh Newman, duke iu referuar edhe një momenti viral nga debati final në të cilin Melania Trump e shmangu prekjen e presidentit.

“Siç pamë edhe në debat të enjten e kaluar, ai u mundua të prekte dorën e saj, ndërsa ajo e largoi.”

Sa për zgjedhjet e javës së ardhshme, Omarosa tha se ajo beson se Biden (të cilin ajo u shpreh se e mbështet) do të fitojë. Por ajo nuk beson se Trump do t’i pranojë rezultatet me dëshirë.

“Unë mendoj se ai do të luftojë para se të lërë detyrën. Por, falë Zotit, ka masa mbrojtëse për një tranzicion paqësor të pushtetit dhe kështu, për aq sa ai mund të sulmojë si një fëmijë, ka forca që do të jenë në gjendje të lëvizin dhe ta nxjerrin atë menjëherë nga Shtëpia e Bardhë dhe të sjellin një udhëheqje të re, që në këtë rast, unë shpresoj të jenë Joe Biden dhe Senatorja Kamala Harris.”

Një vit pas pushimit nga puna, Newman publikoi “Unhinged”, një libër kujtimesh në të cilin ajo bëri një numër akuzash alarmante (dhe të diskutueshme), duke thënë mes të tjerash se presidenti ishte në “rënie mendore”.

Ndërsa po promovonte librin, Newman gjithashtu nxori një seri regjistrimesh të fshehta që kishte bërë gjatë kohës së saj në Shtëpinë e Bardhë, duke përfshirë një nga pushimet e saj nga puna.

Libri i saj arriti në Nr. 1 në listën e bestsellerëve të New York Times, edhe pse Shtëpia e Bardhë e etiketoi atë një punonjëse të pakënaqur dhe e akuzoi Newman për shkeljen e kushteve të një marrëveshjeje moszbulimi. Sipas saj, Donald Trump dhe ekipi i tij i avokatëve u përpoqën të ndalonin botimin e librit, por nuk ia dolën.