PDK/NISMA

Ish-kuadri i PDK’së shpërblehet nga NISMA me një pozitë të lartë në MASHT

Ndërrimi i partisë, po del të ketë qenë veprimi më i duhur për Afet Morinën. Derisa ishte anëtarë i Partisë Demokratike të Kosovës, ai ishte nën hije e nuk kishte ndonjë pozitë të lartë. Por, me të aderuar në Nismën Socialdemokrate, Morina “u shpërblye”. Ai u emërua në pozitën e Kordinatorit Nacional për Cilësi në Arsim, pranë MASHT’it. Në MASHT, thonë se Morina është emëruar vetëm përkohësisht në këtë pozitë, por nuk kanë pranuar të flasin nëse i njejti është anëtar i Nismës. Ndërsa, vet Morina nuk ka pranuar të flasë, duke thënë se është në takim, shkruan Gazeta Express.

Viti 2017’të po del të ketë qenë vendimtar për ish- sekretarin e degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, Afet Morinën. Në po këtë vit, ai dha dorëheqje nga kjo parti, për t’iu bashkuar Nismës Socialdemokrate, në krye me Fatmir Limaj.

Dorëheqjen e tij, Morina e kishte arsyetuar me kufizimin e hapësirës së veprimit politik, dhe ndërhyrjet arbitrare të organeve qendore duke i anashkaluar organet vendimmarrëse të degës.

E kalimi në Nismën Socialdemokrate, po del të ketë qenë veprimi më i duhur për të.

Derisa në PDK ishte vetëm sekretar i degës, vendimet e të cilës anashkaloheshin, me kalimin në Nisma gjithçka ndryshoi. Fjala e tij nisi të ketë ndikim.

Afet Morina arriti të emërohej në pozitën e Kordinatorit Nacional për Cilësi në Arsim, pranë MASHT’it, vetëm disa muaj pasi kishte aderuar në këtë parti.

Vet Morina nuk ka pranuar të flasë për këtë çështje.

I kontaktuar nga Gazeta Express, ai fillimisht e kishte hapur telefonin, por me të dëgjuar për arsyen, është arsyetuar se është në takim e nuk është përgjigjur. Ndërsa, më vonë e ka ndalur tërësisht telefonin.

Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e pranojnë se Morina është emëruar në këtë pozitë, ani pse nuk kanë pranuar të flasin nëse i njejti është anëtar i Nismës Socialdemokrate, duke sugjeruar se këtë përgjigje duhet ta japë vet Morina.

Zëdhënësi i MASHT’it, Valmir Gashi e ka konfirmuar për Gazetën Express, emërimin e Afet Morinës në pozitën e Koordinatorit Nacional për Cilësi në Arsim, pranë MASHT’it.

Gashi ka thënë se emërimi i tij është bërë përkohësisht, pasi që kur ata kanë marrë drejtimin e kësaj ministrie, kjo pozitë ka qenë e pa mbuluar. Deklaron se ai është angazhuar përkohësisht, dhe se është me kontratë mbi vepër.

“Kur e kemi marrë ne drejtimin e ministrisë, kjo pozitë ka qenë e zbrazët, dhe kur janë grumbulluar punët është ba e nevojshme që të angazhojmë dikë, qoftë edhe përkohësisht. Më pas është angazhuar Afet Morina përkohësisht, nëse nuk gaboj kontratën e ka për gjashtë muaj”, tha Gashi.

Por, kur është pyetur nëse Morina është anëtarë I Nismës, ai nuk ka dashur të flasë.

“Më mirë pyetne vet Afetin, ai iu tregon në çfarë partie është. Nuk kisha dasht me fol për këtë çështje”, ka thënë Gashi për Express.

Ndryshe, ky nuk është punësimi i vetëm në baza partiake për të cilat përmendet kjo parti. Shumë punësime të tilla janë bërë edhe në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, që udhëhiqet nga Nisma.