Valon Prestreshi, ish-kryetar i Autoritetit të Konkurrencës të Republikës së Kosovës (AKK), ka thënë se operatorët kabllorë duhet t’i përmbahen Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës para përpilimit të marrëveshjeve të reja për të drejtat e transmetimit të kanaleve të DigitAlb në Kosovë.
Në një shkrim në Facebook të martën, ish-kreu i Komisionit të AKK-së i ka rekomanduar zyrtarët e operatorëve kabllorë që t’i drejtohen për opinion AKK-së para përpilimit të marrëveshjeve.
“Duke i përcjell me vëmendje, deklaratat e kompanive ArtMotion dhe Digit-Alb, rreth skadimit të marrëveshjes aktuale, dhe arritjes së marrëveshjes së re, ua rikujtoi palëve që të kenë kujdes të shtuar rreth përpilimit të marrëveshjes së re, e cila duhet të jetë në përputhje të plotë më ligjin për mbrojtjen e konkurrencës”, u shpreh ai.
“Ua rikujtoi udhëheqësve të ArtMotion gjithashtu edhe zyrës ligjore të tyre, se kanë të drejtë të kërkojnë nga Autoriteti i Konkurrencës mendim apo opinion profesional për përmbajtjen e marrëveshjes”, tha ai.
Prestreshi ka thënë se DigitAlb ka qenë në të kaluarën subjekt i hetimit nga AKK-ja në kuadër të një marrëveshje të vitit 2018 mes operatorit nga Shqipëria dhe IPKO-s në Kosovë.
“Ua rikujtoi zyrtarëve të lartë të DigitAlb se në të kaluarën ata dhe partneri i tyre komercial kanë qenë subjekt i hetimeve nga Autoriteti i Konkurrencës, e që nga ky hetim ka pasur një epilog që ka dhënë dritën e gjelbër ‘marrëveshjeve ekskluzive’”, ka deklaruar ai.
Në reagimin e tij, Prestreshi ka publikuar vendimin e Autoritetit të Konkurrencës rreth marrëveshjes DigitAlb – IPKO, të vitit 2018.
Vendimi asokohe e kishte aprovuar “marrëveshjen ekskluzive” mes dy operatorëve për transmetimin e kanaleve televizive të DigitAlb në Kosovë, duke konstatuar se operatorët i ishin përmbajtur dispozitave ligjore për mbrojtjen e konkurrencës.








