Ish-kryeinspektori i AKI-së tregon pse s’u arrestua personi që planifikoi ta vriste Albin Kurtin

Ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shkëlzen Sopjani, tha në Frontal të T7 se informata për një plan për atentat ndaj kryeministrit Albin Kurti, ka mbetur “në nivel të informatës”.

“Ka qenë një informatë e inteligjencës. Vlerësimi ose analiza e informatës nuk e kam të qartë se deri në cilin nivel ka shku, se sa është bërë verifikimi i informatës. Mirëpo ajo prapë – nëse e këqyrim në apektin profesional – ka mbetë në nivel të informatës me vetë faktin se nuk ka pasur veprime”, tha Sopjani.Personi që dyshohet se kishte planifikuar ta vriste Kurtin është i lirë, dhe Sopjani thotë se çfarë do të duhej të kishte ndodhur që ai të arrestohej.

“Kjo na jep me kuptu që nuk ka pasë veprime konkrete që nuk ka pasë veprime konkrete që janë ndërmarrë për t’u bërë ai sulm”, tha Sopjani.“Po të kishte veprime konkrete, atëherë veç fillojnë të plotësohen elementet e një vepre të mundshme penale. Meqenëse nuk kanë mundur t’i dëshmojnë veprimet konkrete që kishin me e mbërri atë bazën kur fillojnë organet e rendit me hy në funksion, kjo i bjen që kjo informatë ka mbetë në nivelin e inteligjencës”, tha ish-kryeinspektori i AKI-së.

Në vitin 2021, Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë kishte zbuluar një plan për ta vrarë kryeministrin Albin Kurti dhe dy persona të tjerë nga një shtetas i Shqipërisë. Të paktën kështu rezulton në një dokument i bërë publik këtë të hënë nga hakerat, i cili dyshohet se është marrë nga emaili i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në Shqipëri në vitin 2021, Gledis Nano.