Ish presidenti

Ish-komandanti suprem, Fatmir Sejdiu: Ditë historike

Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se krijimi i Ushtrisë së Kosovës është një nga vendimet më të rëndësishme që pas shpalljes së pavarësisë.

Ai thotë se në këtë ecje të suksesshme FSK-ja ka rrugëtuar së bashku me NATO-n dhe aleatët tjerë si SHBA-ja, Gjermania dhe Britania e Madhe.

Sejdiu thotë se ka pasur nderin që të ishte komandant suprem i kësaj force përgjatë kohës sa ishte në krye të shtetit si president.

Shkrimi i plotë i Fatmir Sejdiut:

Ditë historike

Vendimi i sotëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, padyshim është njëri nga vendimet më të rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së vendit.

Ecja e suksesshme transformuese e Trupave të Mbrojtëjes së Kosovës në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe sot në Ushtrinë e Kosovës u bë me një bashkëpunim dhe partneritet të thellë me NATO- në dhe vendet më të rëndësishme mbështetëse të Kosovës. Këtu është roli parësor i SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, por nuk duhet kujtuar kontributin e shumë vendeve tjera anëtare të NATO-së të cilat kanë edhe sot kontigjentet e tyre në Kosovë.

Kam pasur nderin dhe privilegjin e veçantë kur si President i vendit kisha cilësinë e Komandantit Suprem të këtij mekanizmi mbrojtës. Përditë përcillja me vëmendje dhe gëzim rriten dhe zhvillimin e tij.

Ndjeja kënaqësinbë e veçantë kur përfaqësuesit më të lartë të NATO-së flisnin fjalë respekti dhe miradije për formacionet e shkelqyeshme që ishin ngritur dhe për rezultatet e tyre. E di se është dashur shumë punë dhe shumë mund gjer në ditën e sotme. Isha I bindur se kjo ditē do tē vijë.

Është ditë historike për Kosovën. Është ditë që shënon një epokë të re të rritës sonë.

Jam shumë i bindur se Ushtria e Kosovës do të jetë një mbrojtëse e denjë e idealeve të lirisë. Mbrojtëse e atyre idealeve për të cilat janë sakrifikuar shumë gjenerata në rrugën e vështirë që e kemi kaluar. Ushtria e Kosovës do të jetë garant i mbrojtjes së lirisë së gjithë qytetarëve të vendit.

Ajo do të zhvillohet në vazhdimësi në partneritet me NATO-në dhe në miqësi të përhershme me ushtritë e vendeve më të fuqishme në botë të cilat e kanë mbështetur pa rezervë Kosovën.