Ish-këshilltari i Thaçit: Donika Gërvalla është në një linjë me propagandën serbe

Adil Behramaj, ish-këshilltari i Hashim Thaçit ka reaguar ndaj deklaratës së kryediplomates Donika Gërvalla për çështjen e deponimeve të materialeve kundër krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.

Behramaj me anë të një postimi në Facebook ka thënë se ajo krenohet me deponimin e shkarravinave politike kundër themeluesve të UÇK-së, shkruan lajmi.net.

“Pa kërkuar asnjëherë drejtësi për mbi 400 masakra të Serbisë mbi popullsinë shqiptare, si kryediplomate ajo po i legjitimon pretendimet serbe për të ashtuquajturat “krime të shqiptarëve”, ka shkruar Behramaj.

Ai ka thënë se nuk mund të jetë kryediplomate një person që është në linjë  me propagandën serbe.

Postimi i plotë:

Në vend që kryediplomatja të reflektonte, ajo edhe si qeveritare konfirmoi se krenohet me deponimin e shkarravinave politike kundër themeluesve të UÇK-së. Madje, paska treguar zell të madh për ta vazhduar përbaltjen edhe nga pozita e njeriut të dytë të Qeverisë së Kosovës.

Pa kërkuar asnjëherë drejtësi për mbi 400 masakra të Serbisë mbi popullsinë shqiptare, si kryediplomate ajo po i legjitimon pretendimet serbe për të ashtuquajturat “krime të shqiptarëve”.

Kjo përbaltëse politike, e cila as nderin e paraardhësve të saj nuk është në gjendje ta ruajë, na paska folur edhe për nderin!

Nuk mund të jetë kryediplomate e jona dikush që është në linjë të plotë me propagandën serbe!

Nuk mund të jetë kryediplomate e jona as ajo që Kosovën e cilëson si të turpshme!.