Ish-këshilltarët zvarrisin kthimin e laptopëve të Komunës

Ish-këshilltarë komunalë të Podujevës, ende nuk i kanë kthyer laptopët, të cilët ua kishte dhënë në shfrytëzim Kuvendi Komunal gjatë mandatit të kaluar.

Drejtori i Administratës Gëzim Namani, nëpërmjet Zyrës për informim ka thënë se janë edhe tre veta që nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Arsyeja sipas tij, është se ata gjendet jashtë vendit, edhe pse mandati i këshilltarëve komunalë ka përfunduar para një viti, shkruan sot Koha Ditore.

“Janë kthyer të gjithë laptopët përveç tre prej tyre, për shkakun se ish-këshilltarët komunalë gjenden jashtë vendit. Porsa të kthehen në Kosovë ish-këshilltarët, do të jemi në kontakt me ta dhe do të kërkojmë që t’i kthejnë laptopët. Nëse nuk kthehen laptopët, atëherë ne jemi të obliguar t’i ndjekim procedurat e nevojshme ligjore”, ka thënë ai.

Sipas vendimit nr.01-006-4624 të datës 15.01.2014 të Kuvendit të Komunës këta laptopë këshilltarët do të duhej t’i kthenin me përfundimin e mandatit. Por, kjo nuk ka ndodhur nga të gjitha ata. Këtë vërejtje e ka ngritur edhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin vjetor të saj për Komunën e Podujevës.