Agresion juridik ndërkombëtar ndaj një shteti të pavarur dhe sovran, e quan ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu përpjekjen e Serbisë për juridiksion gjyqësor në Kosovë.

Ditë më parë, Qeveria e Serbisë e ka miratuar një projektligj i cili parasheh gjykime për krime që parashihen me Kodin Penal serb të kryera nga viti 2008 e tutje. Dokumenti i është propozuar për miratim Kuvendit në Serbi.

Kryeziu thotë për KosovaPress se “agresioni juridik i ka paraprirë atij terrorist në Banjskë” të Zveçanit.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit kishte ndodhur më 24 shtator të vitit të kaluar, nga një grup i serbëve të armatosur.

Përgjegjësinë për sulmin terrorist e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, parti kjo e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Ish-gjyqtari i Kushtetueses thekson se juridikisht një nisma ligjore e Serbisë nuk mund të ketë efekt juridik në Kosovë dhe Shqipëri, por që “rreziku ekziston për zbatueshmëri nga vendet tjera të Ballkanit Perëndimor”.

Vendimin e Serbisë për këtë projektligj, Kryeziu e konsideron si hakmarrje ndaj sistemit të drejtësisë në Kosovë, pas fletëarresteve që autoritetet në Kosovë kanë lëshuar personat e përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë.

Në shtator, një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave.

“Ky quhet agresion juridik ndërkombëtar ndaj një shteti të pavarur dhe sovran…Kjo është një hakmarrje ndaj prokurorisë së shtetit të Kosovës, sepse Prokuroria e Shtetit ka lëshuar fletëarrest për të gjithë ata kriminelë të cilët kanë vepruar në Banjskë dhe kanë menduar se me këtë këta lëshojnë fletëarrest për autoritetet e shtetit, zyrtarë të shtetit të cilët kanë ndikuar dhe kanë vepruar në pjesën e veriut të Kosovës”, theksoi ai.

Ndër të tjera, njohësi i çështjeve kushtetuese thotë se veprime të tilla agresive dhe destruktive Serbia ka ndërmarrë edhe me qëllim që ta zvarrisë çështjen e dialogut.

Kryeziu pohon se qasja e Serbisë është destruktive dhe sipas tij për këtë Kosova duhet t’i drejtohet ndërkombëtarëve, në veçanti Shteteve të Bashkuara.

“Kjo qasje është agresive, destruktive, e cila është e interesuar që ta zhbëjë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, por ne duhet të jemi të qetë dhe të mençur dhe Qeveria e Kosovës duhet të ketë diplomaci tjetër për t’iu kundërvu diplomacisë serbe, sepse diplomacia serbe është e paparashikueshme dhe ata bëjnë veprime të cilat nuk mund t’i merr koka e njeriut…Edhe kjo ndodh si politikë, por është edhe diplomaci edhe krijon presion, nuk krijon situata të qeta për të ardhur deri tek një marrëveshje e paqes të cilën jemi duke e kërkuar me Serbinë që disa vite, kjo është destruktivitet dhe Serbia është destruktive për këtë arsye ne duhet t’i qasemi faktorit ndërkombëtarë respektivisht administratës amerikane për të zgjedhur edhe këtë problem të cilin e kemi ne me Serbinë“, u shpreh ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi i Serbisë për këto veprime juridike ka nxitur reagime nga faktori ndërkombëtar.

Bashkimi Evropian tha se Serbia me këtë ligj shkel obligimet e dala nga dialogu. Me këtë u pajtuan edhe Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësja Nabila Massaralli, tha për KosovaPress më herët gjatë javës se “Projektligji i propozuar nga Qeveria e Serbisë [për të shpallur Kosovën zonë të mbrojtjes së veçantë dhe për juridiksionin që autoritetet gjyqësore të ndjekin vepra penale në Kosovë] në mënyrën siç janë publikuar, paraqesin shkelje të qarta nga Serbia të obligimeve nga dialogu dhe bien në kundërshtim me përkushtimin e përsëritur së fundmi për dialogun”.

Edhe ShBA-ja e ka kritikuar këtë vendim të Serbisë. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se sikurse BE-ja, edhe ShBA-ja është e mendimit se projektligji i Serbisë që pretendon juridiksion ligjor në Kosovë shkel detyrimet e Dialogut.

Në një postim në X, Miller tha se Kosova dhe Serbia duhet ta zbatojnë marrëveshjen e vitit 2023, por për Kosovën pati një kërkesë specifike – themelimin e Asociacionit, raporton Klan Kosova.

“Ne pajtohemi me BE-në se projektligji i Serbisë që pretendon juridiksion ligjor në Kosovë shkel detyrimet e Dialogut. Kosova dhe Serbia secila duhet të zbatojnë marrëveshjen e vitit 2023 duke përfshirë AKS-në dhe zgjidhjet e Dialogut për të gjithë qytetarët, përfshirë për serbët në Kosovë”, u shpreh zëdhënësi i DASh.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, veprimin e Serbisë e ka quajtur armiqësor e agresiv ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.