Ish trajneri dhe futbollisti i Chelseat, Gianluca Vialli ka zbuluar për problemet që i ka sjellur sëmundja e kancerit, gjersa është në procesin e riaftësimit.

54 vjeçari cilësohet si legjendë e Chelseat, teksa ka luajtur në “Stamford Bridge” gjatë viteve 1996-1999 duke fituar FA Cup, League Cup, UEFA Cup, kurse ka bërë karrierë edhe si trajner te “The Blues” gjatë viteve 1998-2000, derisa fitoi 3 trofe.

Duke folur për gazetën italiane “Corriere della Sera”, Vialli ka treguar për ditët e vështira si pasojë e sëmundjes së kancerit.

“E kam konsideruar si një fazë të jetës time që duhej ta jetoja me guxim dhe që duhej të mësoja diçka nga ajo situatë. E dija se është e vështirë dhe po aq edhe të iu tregoja familjarëve. Ju nuk dëshironi t’i lëndoni njerëzit që iu duan, prindërit, vëllezërit, motrat, bashkëshorten dhe fëmijët. Ajo gjendje të bën të ndihesh i turpëruar sikur të ishte faji yt. Kam ecur me një xhemper përfundi këmishës time në mënyrë që të tjerët të mos e kuptojnë”, zbuloi Vialli.

Italiani tregoi se tashmë është në procesin e rikthimit në formën që ishte para dhënies së diagnozës përkundër që është i vetëdijshëm për rrezikun e përsëritjes.

“Është bërë një vit dhe jam kthyer në gjendje të mirë fizike. Por sërish nuk e kam sigurinë sesi do të mbyllet kjo ndeshje. Shpresoj se historia ime mund të inspirojë shumë njerëz në momente të vështira të jetës”, përfundoi Vialli.

Gianluca Vialli është paraqitur për kombëtaren e Italisë 59 herë duke shënuar 19 gola.