Ish-drejtori i Policisë: Sveçla i mbajti për 12 orë në Blinajë shefat e hetimeve në Polici

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës dhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka bërë një fjalim mjaft të ashpër ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndaj të cilit ka ngritur disa pretendime shumë të rënda për ushtrim ndikimi.

Qalaj ka pretenduar se drejtori i Krimeve Ekonomike, Musli Salihu, është shkarkuar pas bastisjes së Nagip Krasniqi, shef i KEK-ut dhe ish-aktivist i Vetëvendosjes.

“Menjëherë pas deklarimit të  Sveçla se nuk është i kënaqur me një segment të Prokurorisë… shkarkohet drejtori i Krimeve Ekonomike.” – u shpreh Qalaj.

Ai denoncoi edhe Policinë e Kosovës që sipas tij ka gënjyer se Krimet Ekonomike asnjëherë nuk kanë qenë duke e hetuar z. Krasniqi.

“Policia e Kosovës fatkeqësisht tha të pavërteta. Tha se ky rast është duke u hetuar nga njësiti anti-korrupsion, mirëpo nuk është e vërtetë që nuk është hetuar nga krimet ekonomike.” – u shpreh tutje Qalaj.

Por, pretendimin më të rëndë ai e bëri në fund, duke pretenduar se Sveçla i kishte mbajtur për 12 orë shefat e divizioneve të hetimeve të Policisë së Kosovës:

“Të nderuar deputetë, të dashur qytetarë, në fillim të marsit ministri i brendshëm përafërsisht 12 orë ka mbajtur shefat e hetimeve të Policisë së Kosovës.

Prandaj, thërras deputetët – posaçërisht ata të VV-së – që të largohen nga ndikimi i drejtpërdrejtë që janë duke e bërë ndaj drejtësisë, dhe sidomos ndaj njësiteve të ndjekjeve.

Është e pakuptimtë, e tmerrshme, të mbajë 12 orë shefat e divizioneve të departamentit të hetimeve në një objekt në Parkun Nacional në Blinajë.” – tha ai.

Mbetet të shihet nëse gjatë seancës së sotme në Kuvend, ministri Sveçla do të adresojë këto pretendime.