Rashit Qalaj

Ish-drejtori i Policisë: Ora policore e panevojshme

Ministria e Shëndetësisë po shqyrton masat e reja anti-COVID, teksa shumë vende tjera pavarësisht numrave të lartë të të infektuarve po lirojnë masat.

Në mesin e këtyre masave në Kosovë pritet të jetë edhe shkurtimi i orarit të lëvizjes së lirë të qytetarëve.

Por, ndryshe nga atje, në Kosovë po planifikohet që ora policore të kthehet nga ora 22:00 deri në mëngjes.

Këtë po e sheh të panevojshme ish-drejtori i Policisë, njëherësh deputet i PDK-së, Rashit Qalaj.

Ai thotë se tash kur është dimër ashtu-kështu qytetarët nuk dalin jashtë pas orës 22:00.

“Mendoj që është e panevojshme, edhe ashtu tash është dimër, është ftohtë pas orës 22:00 ka shumë pak njerëz në rrugë. Ndërsa nëse ne vendosim orën policore, prapë një numër më i madh i njerëzve do të jetë nëpër markete, nëpër dyqane për tu furnizuar dhe efekti do të jetë i njëjtë”, tha Qalaj, për Klan Kosova.

Qalaj ka kërkuar kujdes më të shtuar nga secili qytetarë.

Ndërsa edhe qytetarët po theksojnë se kufizimi i lëvizjes së lirë është i pakuptueshëm meqë tashmë janë mësuar të bashkëjetojnë me pandeminë.