Ish-diplomati serb Sreçko Gjukiq pretendon se Bashkimi Evropian (BE) “nuk do të vendosë sanksione ndaj Serbisë” sepse presidenti Aleksandar Vuçiq i nevojitet Perëndimit për shkak të Kosovës.

Gjukiq ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta” se BE dhe SHBA presin që Vuçiqi të përmbushë të gjitha detyrimet nga Marrëveshja e Ohrit.

“Të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur në Banjskë, por në këtë moment për Perëndimin është më e rëndësishme që presidenti serb të kthehet në agjendën e Marrëveshjes së Ohrit, sesa të bëjë një hetim të detajuar për ngjarjen e fundit tragjike në veri të Kosovës dhe të vendos përgjegjësinë për të gjithë ata që morën pjesë dhe organizuan këtë konflikt”, ka pretenduar Gjukiq, transmeton Paparaci.

Sipas tij, prioritet i Perëndimit është tejkalimi i krizës që lindi pas ngjarjeve në Banjskë.

“Ka mundësi që të merren disa masa ndaj Serbisë, por sigurisht që nuk do të jenë të rënda. Perëndimi dëshiron t’i japë fund problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë me Vuçiqin. BE-ja mund të marrë një vendim për të ndaluar integrimin evropian të Serbisë, por ai proces tashmë është ndalur qe dy ose tre vjet, sepse asnjë klaster nuk është hapur. Do të ishte problem nëse BE-ja vendos të ngrijë fondet evropiane për Serbinë”, ka thënë ai.

Gjukiq ka theksuar se pritet që presidenti serb të njohë të gjitha dokumentet e Kosovës në muajt e ardhshëm dhe të pranojë hapjen e misioneve diplomatike të Serbisë dhe Kosovës në Prishtinë dhe Beograd, përcjell Paparaci.

“Gjithashtu, Vuçiq pritet të mos bllokojë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara. Serbia nuk do të ketë nevojë të njohë pavarësinë e Kosovës, por do të jetë e detyruar të njohë situatën ekzistuese”, ka thënë Gjukiq.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka deklaruar se për Serbinë është përgatitur një paketë masash si “përgjigje ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë”.

“Nuk do t’i quaja sanksione, sepse duhet të miratohen nga Këshilli, por po flasim për masa politike dhe financiare, të cilat natyrisht do t’i shkaktojnë dëm qeverisë së Serbisë”, ka thënë Von Cramon për Euronews.