Ish-diplomati serb: Kurti është pengesa më e madhe për dialogun

Votimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në zgjedhjet e zhvilluara dje në Shqipëri është një proces i natyrshëm kur bëhet fjalë për strategjinë dhe politikën e partisë së tij, Vetëvendosje, e cila bazohet në thelb në idenë e “Shqipërisë së Madhe”, tha ish-diplomati serb, Zoran Millivojeviq sot.

“Në thelb të politikës së Vetëvendosjes është idea e Shqipërisë së Madhe dhe Kurti po e zbaton atë vazhdimisht”, tha Millivojeviq për TV K1, duke theksuar se situata e panatyrshme është mungesa e reagimit nga bashkësia ndërkombëtare.

“Nga njëra anë, në nivelin verbal, ka përpjekje për një zgjidhje kompromisi, për dialog, një qasje konstruktive, ndërsa nga ana tjetër, qëndrimi për të mos reaguar, për të mos bërë presion ndaj Kurtit, për të mos folur për votimin e tij në Shqipëri, tregon praktikisht mbështetje për atë politikë dhe atë strategji”, deklaroi Millivojeviq.

Ai thotë se është befasuar këndshëm nga reagimi i eurodeputetes Viola von Cramon, e cila vuri në dukje se votimi i Kurtit në zgjedhjet në Shqipëri është i papranueshëm, ndërsa thotë se sikur reagimi i saj duhej të ishte edhe reagimi i Brukselit dhe Washingtonit.

“Dhe në një mënyrë vendimtare, sepse nuk ka të bëjë vetëm me dialogun, por me perspektivën e marrëdhënieve në këtë rajon në lidhje me idenë e asaj politike të Shqipërisë së Madhe”, shtoi Millivojeviq.

Ai tregoi se reagimi i bashkësisë ndërkombëtare tani është më i domosdoshëm, sepse Kurti nuk është më politikan opozita, por tani e ka pushtetin në Prishtinë dhe vepron në Tiranë nga ai pozicion.

“Me faktin që Kurti tani po ngre hekun duke dashur të vendosë në tryezë temat e fajit të Serbisë, dëmshpërblimet e luftës, gjenocidin… Këto janë elemente dhe kushte që nuk japin asnjë shans për një dialog serioz”. shprehet Millivojeviq .

Duke komentuar akuzat nga Brukseli se janë duke pritur që Kurti të deklarohet, Millivojeviq deklaroi se BE-ja kështu po e konfirmon veten si dikush që nuk është neutral në atë dialog.

“Duke pritur që ai të deklarohet, ata praktikisht i japin atij mbështetje për pikëpamjet e tij dhe praktikisht çështja e dialogut bie në presion ndaj Serbisë për të bërë disa lëshime”, thotë Millivojeviq.